Rama inspekton punimet në Bypass-in e Tiranës: Do të çlirojë kryeqytetin nga trafiku, shpronësimet me transparencë
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka inspektuar punimet për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës, një projekt me gjatësi 21 kilometra, që synon të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe të shmangë kalimin e trafikut përmes kryeqytetit.
Gjatë inspektimit, Rama u shpreh se punimet po vijojnë me ritme të mira, ndërsa theksoi rëndësinë strategjike të këtij aksi për lidhjen e Korridorit Blu me autostradën Tiranë-Durrës dhe aksin Tiranë-Elbasan.
Sipas kryeministrit, bypass-i do të mundësojë që një pjesë e fluksit të automjeteve që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes të shmangë hyrjen në qytet, duke lehtësuar njëkohësisht qarkullimin për ata që hyjnë dhe dalin nga Tirana.
Rama u ndal edhe te çështja e shpronësimeve në zonën ku po zhvillohet projekti, duke deklaruar se ato do të kryhen në përputhje me ligjin dhe me transparencë. Ai vuri në dukje gjithashtu se ndërtimi i këtij aksi pritet të ndikojë në rritjen e vlerës së pronave në zonë.
“Ajo që të gjithë duhet ta marrin parasysh në këtë zonë është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre. Ndërkohë që pa diskutim që çdo shpronësim do të bëhet ashtu siç duhet, me transparencë, sipas ligjit. Do të jetë një aks që do ta çlirojë qytetin nga një ngarkesë e tepërt. Një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes dhe pjesa tjetër do të ketë më shumë lirshmëri për të hyrë dhe dalë në kryeqytet”, tha kryeministri Edi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




