Takim historik SHBA-Kinë-Rusi, presidentët e tre vendeve pritet të takohen javën e ardhshme

Botë | 19 minuta më parë

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidentët e SHBA-së, Rusisë dhe Kinës Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping pritet të takohen javën e ardhshme gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, që do të mbahet në qytetin kinez  të Shenzhenit. Sipas zëdhënëse Olivia Wales në fokus të diskutimeve pritet të jetë çështja e armëve bërthamore.

“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se do të diskutojë, mes të tjerash, reduktimin e armëve bërthamore në botë, përhapjen e të cilave e konsideron shumë të rrezikshme”, – deklaroi ajo. Sipas burimeve amerikane, në takim mund të diskutohet edhe për Iranin, ndërsa çështja e Ukrainës nuk pritet të jetë pjesë e bisedimeve.

Megjithatë, nuk parashikohet që takimi të prodhojë ndonjë marrëveshje konkrete. Trump do të mbërrijë në Shenzhen të mërkurën në mbrëmje, për të marrë pjesë në samitin dyditor të APEC-ut, ku bëjnë pjesë 21 shtete. Të enjten ai do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe në mbyllje të vizitës do të zhvillohen bisedimet trepalëshe.

Zëdhënësja njoftoi se Trump para këtyre takimeve, të martën do të marrë pjesë në samitin e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në Filipine. Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për sigurinë ndërkombëtare, pasi në shkurt skadoi traktati i kontrollit të armëve bërthamore mes Uashingtonit dhe Moskës, duke lënë dy fuqitë me arsenalet më të mëdha atomike në botë pa një marrëveshje kornizë.

Trump ka shprehur më herët synimin për një marrëveshje të re, që do të përfshinte edhe Kinën, e cila po zgjeron arsenalin e saj bërthamor. Ndërkohë, bashkëpunimi ekonomik mes Pekinit dhe Moskës, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, si dhe marrëdhëniet shpesh të tensionuara mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, i japin këtij takimi një rëndësi të veçantë gjeopolitike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme