Rama në Asamblenë e PS-së: Mandatin e shumicës e morëm për Shqipërinë në BE në vitin 2030

Aktualitet | 20 minuta më parë

Gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, që po zhvillohet në Gjirin e Lalzit, kryeministri Edi Rama u ndal te rëndësia e mandatit të marrë në zgjedhjet e fundit dhe objektivi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në vitin 2030.

Rama deklaroi se Shqipëria, pavarësisht problemeve që ka, ka sot një perspektivë më konkrete se kurrë dhe ndodhet më pranë anëtarësimit në BE.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe kritikave gjatë fushatës elektorale për marrjen e një shumice më të madhe parlamentare, duke përmendur krahasimet me Vladimir Putinin dhe Recep Tayyip Erdoganin.

Sipas Ramës, shumica e siguruar nga Partia Socialiste ishte e nevojshme për të miratuar ligjet dhe reformat që kërkojnë procesi i integrimit evropian.

“Mësimi i parë i arritjes të ky rekomandim historik është se një vend me probleme dhe një vend pa perspektiv janë dy gjëra të ndryshme. Shqipëria e sotme jo ka një perspektiv por e ka më konkrete se kurrë dhe ndodhet më afër se kurrë me takimin e shumë pritur me historinë.

Mos harroni se kemi marrë një votë plebishitare me këtë kërkesë. Ju kujtohet kur gjithë këto grykët që nxirrnin nga bulçitë mediatike fjalët e kundërta ndaj nesh gjatë fushatës, thoshin për çfarë i duhet këtij një mbështetje më e madhe?

Gjatë fushatës thoshin se për çfarë i duhet këtij një shumicë më të madhe se kjo që kishte do të bëhet si Putini, si Erdogani, për kë i duhet kjo, parafytyroni sikur populli shqiptar të ishte po aq i mangët sa këta që bënin këto pyetje. Imagjinoni që populli shqiptar të mos na jepte mandatin që na dha ne do ishim pengje, të ngecur se nuk do kalonim dot asnjë nga shumë ligjet që kërkonin pikërisht fuqinë e kësaj shumicë që ne morëm dhe e morëm atë shumë për Shqipërinë në BE në vitin 2030.

Është përgjegjësi historike që duhet ta ndiejë individualisht secili për të qenë atje në pjesën e tij të frontit, aktiv. Të gjitha forca e PS duhet të mobilizohen. I gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë, sepse ne na ka rënë barra, por na është shkruar dhe fati që të gjendemi në këtë pjesë të historisë, ta përgatisim atë takim kur Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe Europa të flasë zyrtarisht edhe gjuhën e vjetër shqipe. Është përgjegjësi konkrete për të ulur kokën, për të komunikuar papushim, për të mbështetur pa u lodhur njerëzit, komunitetet që na e kanë dhënë ne këtë privilegj dhe që nesër të kemi mundësi të shohim me krenari të shkuarën dhe të themi isha edhe unë kur ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së Shqipërisë.”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme