Liceu Francez i Korçës/ Kumbaro prezanton pr.ligjin: Shkollë publike me standarde europiane, nxënësit do të pajisen edhe me diplomë franceze

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro prezantoi në Komisionin e Ekonomisë, Financave dhe Punësimit projektligjin “Për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë Liceu Francez i Korçës”. Kumbaro argumentoi se ky projekt i përbashkët i qeverisë shqiptare dhe asaj franceze, me vlerë të veçantë në cilësinë e arsimit dhe diplomacinë tonë, propozohet të rregullohet me një ligj të veçantë pasi mbështetet në një model arsimor që sot nuk e kemi në sistemin publik.
“Është një projektligj i veçantë dhe me një vlerë të jashtëzakonshme në cilësinë e arsimit dhe në diplomacinë shqiptare, sepse pasqyron një projekt të përbashkët mes Shqipërisë dhe Francës, që ndërtohet në bashkëpunim me Qeverinë e Francës dhe nën kujdesin e Presidentit Macron dhe të Kryeministrit Edi Rama dhe sepse mbi këtë ligj do të mbështetet një model arsimor që sot nuk e kemi në sistemin tonë publik.Siç e dimë, Në Korçë ka pasur dikur një lice francez. Është një emër që qyteti nuk e ka harruar kurrë dhe që i përket historisë së arsimit shqiptar, ndaj kur flasim për rikthimin e tij, flasim për një traditë që rinis, e përshtatur me nevojat e një shoqërie që po përgatitet për Bashkimin Europian.Por ky projekt nuk është thjesht e vetëm një gjest nostalgjik. Ky projekt ka një bazë të qartë institucionale”, tha ministrja Kumbaro.
Duke folur për ofertën arsimore të liceut, ministrja Kumbaro sqaroi se do të jetë një institucion arsimor tregjuhësh, nxënësit që e përfundojnë me sukses do të dalin me dy diploma: Maturën Shtetërore Shqiptare dhe Baccalauréat-in Francez, ndërsa për nxënësit shqiptarë do të ndiqet falas.
“Liceu Francez i Korçës do të jetë një institucion publik i arsimit të mesëm të lartë i orientuar në shkencë dhe inovacion, për nxënësit shqiptarë, por edhe i hapur për të gjithë nxënësit nga rajoni që duan të studiojnë në këtë lice pasi mësimi do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht, dhe nxënësit që e përfundojnë me sukses do të dalin me dy diploma: Maturën Shtetërore Shqiptare dhe Baccalauréat-in Francez! Ky është një përfitim i drejtpërdrejtë në radhë të parë për nxënësit dhe familjet e tyre, të cilët deri tani kanë pasur akses të kufizuar në programe dhe kualifikime me njohje ndërkombëtare brenda vendit. Një familje në Korçë, në Pogradec, në Përmet a Gjirokastër, apo kudo nga Shqipëria, mund të studiojë në Shqipëri, duke marrë edhe një diplomë njësoj me një nxënës francez, që njihet në Francë dhe në gjithë hapësirën europiane. Ka edhe një arsye më të gjerë, që lidhet me ecurinë tonë drejt Bashkimit Europian. Kemi përmbyllur kapitujt e negociatave për arsimin dhe kërkimin shkencor, dhe tani kemi detyrën të tregojmë në praktikë se standardet europiane mund të zbatohen në shkollat tona. Liceu synon të ketë edhe “efektin pioner”: një institucion publik me nivel të lartë shkencor dhe gjuhësor, të cilin politikat e ardhshme mund ta marrin si referencë”, tha ministrja Kumbaro.
Gjatë mbledhjes në Komision, ministrja dha detaje edhe mbi organizimin institucional të liceut, i rregulluar nga pala shqiptare dhe ajo franceze, ku kjo e fundit përveç ekspertizës do të sigurojë edhe financimin e pagës së drejtuesit të liceut, shtetas francez, për një afat 5-vjeçar.
“Organi kryesor vendimmarrës është Këshilli administrativ.Ky këshill mbikëqyr funksionimin e institucionit, propozon strukturën dhe projektbuxhetin vjetor, miraton aktet e brendshme dhe emëron drejtorin dhe zëvendësdrejtorin. Veprimtaria e tij kryhet pa shpërblim! Dua të ndalem te një ekuilibër që e konsideroj thelbësor. Drejtori i Liceut propozohet nga ministria franceze e arsimit dhe është përfaqësuesi ligjor i institucionit për çështjet e mësimdhënies dhe ato protokollare. Zëvendësdrejtori propozohet nga ministria jonë dhe plotëson kriteret e kualifikimit sipas legjislacionit shqiptar të arsimit parauniversitar. Pra kemi Këshillin Administrativ, kemi drejtorin e Liceut, dhe kemi një autoritet të tretë që është Këshilli i institucionit, një organ këshillimor që dua ta nënvizoj, sepse në të ndodh ajo që ndodh rrallë në institucionet tona arsimore: ulen në të njëjtën tryezë të gjithë ata që preken nga jeta shkollore”, sqaroi ministrja.
Mësimdhënia bazohet në një bashkërendim të kurrikulave kombëtare shqiptare dhe franceze, me respekt të plotë për integritetin e secilit shtet. Lëndët që zhvillohen në frëngjisht mbikëqyren nga ministria franceze e arsimit, kurse ato në shqip e në anglisht mbikëqyren nga institucionet përgjegjëse shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




