Ligji i sponsorizimeve/ Gonxhja jep detaje në Komisionin Parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet

Sport | 1 orë më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka paraqitur sot në Komisionin Parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet detaje mbi projektligjin e ri “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat në financimin e kulturës, artit, sportit dhe fushave të tjera me interes publik.

Në fjalën e tij Gonxhja la të kuptohej se në këtë kontekst ishte i nevojshëm ndryshimi pasi “kuadri aktual ligjor, i miratuar në vitin 1994, nuk i përgjigjej më realitetit të ri ekonomik dhe zhvillimit të Shqipërisë, duke argumentuar se nevojiten mekanizma të rinj për të mobilizuar kapitalin privat”.

Risi e projektligjit është lehtësia fiskale për bizneset që sponsorizojnë aktivitete në kulturë, art dhe sport.

Sipas propozimit mësohet se sponsorët do të përfitojnë zbritje deri në 30% të tatimit mbi fitimin të paguar në vitin paraardhës, me një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit.

Gonxhja shpjegoi se “projektligji parashikon gjithashtu mundësinë që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt artistët dhe sportistët shqiptarë që përfaqësojnë vendin në aktivitete ndërkombëtare”.

Sipas ministrit ky projektligj ka për synim që “kultura dhe sporti të mos shihen vetëm si shpenzime të buxhetit të shtetit, por edhe si investime që gjenerojnë përfitime ekonomike, shëndetësore dhe sociale, duke ndikuar edhe në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale”.

Gonxhja solli si shembuj edhe organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare, si Giro d’Italia dhe koncertet në Shqipëri, të cilat kanë tërhequr vizitorë të huaj dhe kanë gjeneruar aktivitet ekonomik për sektorët e hotelerisë, gastronomisë, transportit dhe shërbimeve.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme