Certifikohen punonjësit e Policisë për sigurinë në shkolla, Hita: Të rinjtë duhet të kërkojnë ndihmë pa frikë

Policia e Shtetit ka certifikuar punonjësit e angazhuar për Edukimin dhe Punën me të Rinjtë, pas përfundimit të një programi trajnimi mbi çështjet e sigurisë në shkolla. Gjatë aktivitetit u dorëzuan certifikatat për ndihmës specialistët për Edukimin dhe Punën me të Rinjtë.
Në fjalën e tij, Hita theksoi se roli i punonjësve të Policisë në marrëdhënien me nxënësit është thelbësor për ndërtimin e besimit mes institucionit dhe komunitetit.
“Ju jeni përfaqësuesit e Policisë së Shtetit në marrëdhënien me brezin e ri, veçanërisht me nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Roli juaj është thelbësor, sepse përmes komunikimit dhe edukimit ju ndihmoni në ndërtimin e një marrëdhënieje besimi mes Policisë dhe komunitetit. Edukimi i të rinjve me frymën e respektimit të ligjit, dallimit të së mirës nga e keqja dhe respektimit të normave shoqërore është një investim për të ardhmen. Në këtë mënyrë ndihmojmë në rritjen e një brezi të përgjegjshëm, që di të kundërshtojë dhunën dhe sjelljet antisociale”, deklaroi Hita.
Ai siguroi se siguria në shkolla do të vijojë të jetë një nga prioritetet e Policisë së Shtetit, ndërsa kërkoi që punonjësit të mos e kufizojnë rolin e tyre vetëm në zhvillimin e orëve edukative.
“Prania ime sot këtu është një vlerësim për përkushtimin tuaj dhe për rëndësinë e kësaj detyre. Dua t’ju siguroj se puna në shkolla mbetet një prioritet për Policinë e Shtetit. Më tej, dua të ndalem te një mesazh që e konsideroj shumë të rëndësishëm: mos e shihni veten thjesht si punonjës policie që shkoni në shkollë për të zhvilluar një orë edukimi. Shiheni veten si një pikë referimi për nxënësit, si njerëz te të cilët ata mund të drejtohen pa frikë, të kërkojnë ndihmë dhe të gjejnë mbështetje!”, u shpreh ai.
Nga ana e saj, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, vlerësoi angazhimin e Policisë së Shtetit në kuadër të Paketës së Sigurisë në Shkolla. Ajo u ndal veçanërisht te roli i grave dhe vajzave në strukturat e Policisë, duke theksuar se prania e tyre ka ndikuar në rritjen e besimit të nxënësve dhe në identifikimin e problematikave. “Besoj fort se ne të gjithë në punë kemi detyra funksionale, ato që na ngarkon ligji, por mënyra se si jepet prioriteti dhe ku ne duam të fokusohemi bën diferencën nga një vit shkollor në një vit tjetër. Gjithashtu, e vlerësoj shumë që ky ka qenë një nga ato vite kur jo vetëm të katërta ministritë që janë angazhuar në Paketën e Sigurisë në Shkolla, por veçanërisht Policia e Shtetit e ka pasur sigurinë në shkolla prioritet. Kështu që, për këtë doja shumë t’ju jepja një falënderim të veçantë të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, duke qenë se kur vjen puna te fëmijët, është rasti tipik kur na bashkohet detyra jonë funksionale dhe ligjore me detyrën tonë personale si prindër dhe si familjarë”, deklaroi Ruseti. Zëvendësministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla.
Një tjetër risi e prezantuar në kuadër të këtij aktiviteti është platforma “Help4You”, e krijuar nga Europol, e cila tashmë është e disponueshme edhe në gjuhën shqipe.
Platforma është bërë e mundur falë bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Projektit Suedez për Policimin në Komunitet.
Ajo synon t’u vijë në ndihmë nxënësve dhe të rinjve për t’u informuar dhe për të kërkuar këshillim lidhur me rastet e dhunës, si dhe shqetësimet dhe problematikat me të cilat përballen në hapësirën digjitale. Ndërkohë, drejtori i Programit SCPA, Ansi Shundi, shpjegoi se trajnimet synojnë të qartësojnë rolin dhe përgjegjësitë e punonjësve të Policisë në zbatimin e Paketës Kombëtare të Sigurisë në Shkolla.
Sipas tij, një nga objektivat kryesorë është përcaktimi i qartë i rasteve kur dhe si duhet të ndërhyjë Policia, si dhe ndarja e përgjegjësive me drejtuesit e shkollave, psikologët dhe strukturat e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



