Dumani nënshkruan memorandum bashkëpunimi me kryeprokurorin Special të Malit të Zi

Aktualitet | 2 vite më parë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani dhe Kryeprokurori Special i Malit të Zi, Vladimir Novoviç nënshkruan sot Memorandumin e Mirëkuptimit për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Nga ana e tij, Altin Dumani theksoi përkushtimin e Prokurorisë së Posaçme si dhe rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeprokurori Special i Malit të Zi, Vladimir Novoviç vlerësoi punën e SPAK duke nënvizuar rolin e hetimeve të përbashkëta dhe ndihmës së ndërsjelltë juridike.

Dy kryeprokurorët folën gjithashtu mbi nevojën e ndarjes së eksperiencave në nivel ekspertësh lidhur me praktikat më të mira të institucioneve që ata përfaqësojnë.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi është një tjetër hap pozitiv në thellimin e marrëdhënieve me institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të armëve, lëndëve narkotike dhe krimit kibernetik.

Prokuroria e Posaçme vijon të ndërtojë marrëdhënie strategjike me agjencitë ligjzbatuese në rajon duke rritur efikasitetin dhe bashkëpunimin në luftën kundër sfidave të përbashkëta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme