“Antikorrupsioni”, miratohet grupi i ekspertëve që do analizojnë reformën në drejtësi

Aktualitet | 2 vite më parë

Komisioni i posaçëm kundër korrupsionit miratoi përbërjen e grupit të ekspertëve të nivelit të lartë që do të analizojnë dhe konsultojnë ndryshimet e nevojshme të konsolidimit të reformës në drejtësi.

Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, bëri të ditur se në përbërje të grupit të ekspertëve do të jenë pedagogë, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve të pavarura dhe komunitetit të biznesit, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, si dhe konsulentë të jashtëm. Xhafaj theksoi se Reforma garanton një sistem drejtësie të pavarur.

Në përfundim, kryetari i Komisionit theksoi se Kuvendi duhet të vazhdojë procesin, pasi duhen reflektuar rekomandimet e dhëna nga progres-raportet e Bashkimit Europian.

“Kuvendi e ka të domosdoshme të kryejë kontrollin post legjislativ. Po ashtu vetë institucionet e drejtësisë kanë paraqitur pranë Kuvendit një sërë propozimesh për ndryshime ligjore. Janë rreth 140 amendamente të propozuara prej tyre për ndryshime në kuadrin ligjor përkatës përfshi edhe ndryshime kushtetuese. Janë këto 3 arsye të forta që imponojnë një proces të tillë që kanë të domosdoshëm një analizë si dhe konsultim të gjerë mbi ndryshimet e mundshme”, tha Xhafaj.

Nga ana tjetër, deputetja Milva Ikonomi informoi se për konsolidimin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit është përgatitur një dokument i cili është konsultuar edhe me misionet e asistencës ndërkombëtare.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme