Shpërthen fabrika e fishekzjarreve në Itali, humb jetën 18-vjeçari shqiptar, mes viktimave dhe 2 italiane

Aktualitet | 2 vite më parë

Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë të paligjshme fishekzjarrësh në Itali ka shkaktuar vdekjen e 3 persona, mes të cilëve edhe të një 18-vjeçari shqiptar.

Tragjedia ndodhi pasditen e djeshme në via Patacca, një zonë rurale në kufirin me San Giorgio a Cremano.

Tre viktimat e konfirmuara sipas mediave italiane, janë 18-vjeçari shqiptar SamuelT. dhe dy motrat 26 vjeçare me origjinë italiane, Sara dhe Aurora E..

Sipas të afërmve, tre të rinjtë e kishin ditën e parë të punës në fabrikën ilegale dhe po konsumonin drekën në momentin e shpërthimit.

Sipas informacioneve paraprake, nuk ka pasur shpërthime të vogla, por vetëm një shpërthim i madh.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë menjëherë zjarrfikësit, ambulanca 118 dhe karabinierët. Zona u izolua për të vijuar me hetimet.

Kryetari i bashkisë së Ercolano, Ciro Buonajuto, deklaroi se: “Nuk ka kërkesa për autorizim për një fabrikë fishekzjarre. Ne jemi duke kryer kontrolle të mëtejshme”.

Anna C., vjehrra e Samuelit ka deklaruar se  vajza e saj 17-vjeçare e njihte prej një viti dhe ata kishin krijuar një familje në Ponticelli, një lagje në periferi lindore të Napolit. Samueli kishte vetëm 5 muaj që ishte bërë prind.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme