Golemi: Si mjek u shërbeja pacientëve, tashmë i shërbej “shëndetit” të Gjirokastrës

Emisioni “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH udhëtoi këtë javë në Gjirokastër për të folur nga afër me kreun e bashkisë, Flamur Golemi, që për dy mandate po administron këtë qytet.
Sfida e tij, shprehet Golemi, është si të menaxhojë më mirë bashkinë për ta shndërruar Gjirokastrën në një destinacion për turistët të huaj dhe vendas, dhe të rritë vëmendjen në zonat rurale.
Kjo është ‘lufta’ e vërtetë që ka. Ndaj e nis tregimin që si një mjek me profesion i ka shërbyer shëndetit të pacientit, ndërsa tashmë në rolin e kryeshërbëtorit të qytetit po kujdeset për “shëndetin” e Gjirokastrës.
“A jemi në zyrën e një mjeku apo një kryetari bashkie?” Golemi u përgjigj që mjeku dhe kryetari bashkisë e kanë qëllim të përbashkët shërbimin ndaj komunitetit.
“Nuk ka ndryshuar asgjë tek unë, të qenët kryetar bashkie apo mjek në raport me shërbimin që duhet t’i bëj komunitetit tim dhe qytetarët. Të jesh kryetar bashkie në Gjirokastër është privilegj dhe detyrim i madh se është një qytet me pasuri mbarë botërore. Duke qenë mjek okulist, dita ime nis me vëzhgimin e qytetit duke parë jo vetëm bukuritë të trashëguara ndër shekuj, por dhe për të parë përmirësimin e punëve për të gjithë qytetarët dhe turistët që na vijnë çdo ditë.”
Duke treguar për ritualin e përditshëm, Golemi shprehet se, dita nis me vështrimin e rrugicave, pastrimit të qytetit, rregullimin e infrastrukturës, dhe më pas shprehet kryebashkiaku Golemi, vazhdon komunikimi dhe pritja e qytetarëve.
“Si qytet i vogël që jemi dita nis me përshëndetje, vazhdon me këshilla dhe përfundon me angazhime të përbashkëta për të mirën e qytetit dhe qytetarëve. Gjirokastra është një qytet që i ngjason një organizmi të njeriut , një qenie të gjallë që ka nevojë për t’u përkujdesur për atë”
Dhe për të bërë këtë administrim të mirë të qytetit, sipas Golemit, është shumë e rëndësishme që të dëgjosh gjithë banorët për ti shërbyer sa më mirë gjithë këtij komuniteti të mrekullueshëm.
Duke folur për fillimet e karrierës së tij politike dhe ndarjen me profesionin e okulistit, Golemi tha që nuk ka qenë e lehtë ndarja me këtë profesion.
“Mjekësinë e kam dashur , kam punuar për një kohë të gjatë si mjek i përgjithshëm dhe më pas si okulist. Ishte një moment që vendosa të angazhohesha në politik duke menduar që ‘dua ta provojë.
Edhe si mjek dhe si kryebashkiak unë kam bërë një premtim që duhet ti qëndroj deri në fund duke i shërbyer këtij qyteti sikurse i kam shërbyer si mjek. Bëj as sa mundem, jo aq sa do të doja.
“Të drejtosh një qytet si Gjirokastra nuk është thjesht të pastrosh Kalanë e Gjirokastrës apo lagjes e sipërme të saj, por është i gjithë qyteti dhe pjesa historike me më shumë se 500 shtëpi të kategorisë së parë dhe të dytë e ruajtura si monument historik. Si njësi administrative janë 35 fshatra që kanë nevojë për shërbim”.
Duke ndarë eksperiencën dhe si deputet në Parlamentin e Shqipërisë, por tashmë dhe si i pari i qytetit, kryebashkiaku Golemi shprehet se ndryshimi në këtë post të ri është se je çdo ditë në shërbim të qytetit.
“Je çdo ditë në kontakt me qytetarët , je çdo ditë i fokusuar me punë për komunitetin dhe në ditët e pushimit sepse jeta është dinamike dhe gjithmonë ka diçka për të bërë çdo ditë, pavarësisht se është e shtunë, e diel, apo edhe ditë jave. Je gjithmonë në shërbim ashtu si mjek i shërben për shëndetin e qytetarit tashmë i shërbej shëndetit të qytetit”
Kreu i bashkisë tregoi për emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” dhe projektet që ka për të ardhmen e këtij qyteti.
“Me ndihmën e qeverisë vazhdojmë çdo ditë të punojmë për qytetin dhe nuk është se kemi bërë thjesht projekte për 2 vit apo 4 sa është një mandat por kemi bërë projekte që janë për gjeneratat në vazhdim. Sikurse është by-pass sikurse është parkingu te Sheshi “Çerçiz Topulli”, por kemi fituar dhe shumë projekte të huaja duke qenë bashkia e dytë e përthithjes së donacioneve dhe financimeve të huaja në qytet.”
Vitin e kaluar ky qytet, tregon kreu i bashkisë Golemi, ka pasur më shumë se 400 mijë turistë dhe këtë vit pritshmëritë janë të mëdha për ta kaluar shifrën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



