Nga eurodeputet sërish në burg, Fredi Beleri: Gjikuria, më i përshtatshëm për Himarën sesa unë

Politikë | 2 vite më parë

Pas betimit në Strasburg si eurodeputet, Fredi Beleri është rikthyer në Shqipëri për të vijuar vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit. Në një prononcim për mediat nga aeroporti i Rinasit, Beleri tha se nuk i vjen keq që po kthehet në qeli, ndërsa u shpreh se ndihet mirënjohës për ata që e dërguan në Parlamentin Evropian.

Duke folur për kandidatin e ri, Petro Gjikuria për zgjedhjet që do të zhvillohen në Himarë për postin e kryebashkiakut, Beleri tha se ai është një figurë më e përshtatshme se vetë ai.

“Sigurisht që mund t’i fitojë! Opozita ka zgjedhur një kandidat besoj se edhe më të përshtatshëm se unë. Qytetarët e Himarës duhet të mbarojë atë që filluan më 14 maj të 2023-it. Jam i bindur për fitoren!” u shpreh Beleri.

I pyetur se si ishte për Fredin Beleri pesë ditë në liri, sipas tij ishin “normale, dhe mirënjohje, falënderime për ata që më votuan atje dhe përgjegjësi e madhe”.

Ai vuri në dukje së për të është përgjegjësi e madhe për të qenë në postin e eurodeputetit. “Nuk më vjen fare keq, unë e respektoj drejtësinë edhe pse drejtësia nuk respekton veten e vet. Krenar, mirënjohës për ata që më votuan dhe përgjegjësi të madhe për një detyrë të re dhe përgjegjësi të madhe për një detyrë të re”, theksoi Beleri.

Sa i përket kërkesës për lirimin me kusht të bërë nga avokatët e tij, Beleri tha se “kërkesa ime është brenda kuadrit ligjor. Drejtësia do të vendosë”.

Në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian, Fredi Beleri fitoi mandatin e eurodeputetit ku do të përfaqësojë Greqinë në PE. Ai u betua si eurodeputet në Parlamentin Evropian pasi mori leje për 5 ditë më parë nga Drejtoria e Burgjeve, duke udhëtuar drejt Strasburgut. Ndërsa ditën e sotme është kthyer në Shqipëri për të vijuar vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit, pasi akuzohet për blerjen e votave në zonën e Himarës në zgjedhjet vendore të 14 majit, 2023.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme