VIDEO- Jet Ski- të, kontrollolle nga Ksamili në Velipojë, miliona lekë gjoba, bllokohen 5 prej tyre

Aktualitet | 2 vite më parë

Vijojnë intensivisht kontrollet në të gjithë vijën bregdetare, ndaj mjeteve lundruese, kryesisht ndaj atyre të argëtimit, për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe të rregullave të lundrimit. Nga Ksamili në Velipojë janë kontrolluar 78 mjete lundruese, kryesisht Jet Ski, skafe dhe gomone.  

Si rezultat i kontrolleve, janë bllokuar për mungesë dokumentacioni, në Vlorë dhe në Durrës, 5 mjete lundruese, si dhe janë ndëshkuar pronarët e tyre, me masë administrative 10.000 lekë të rinj secili.   

“Ndërkohë, në kuadër të monitorimit të perimetrit të sigurisë, në Velipojë, Vlorë dhe në Durrës, janë bllokuar 4 Jet Ski, si dhe janë ndëshkuar me masë administrative 20 000 lekë secili, pronarët e këtyre mjeteve lundruese, për mosrespektim të perimetrit të sigurisë. Policia Kufitare apelon për pronarët dhe për përdoruesit e mjeteve lundruese, për  respektimin e perimetrit të sigurisë së pushuesve në plazhe, për zbatim me korrektesë të kërkesave ligjore për daljen në det dhe për pajisjen me dokumentacionin përkatës. Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe dhe në këtë kuadër, do të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin nga toka dhe në det, të të gjithë vijës bregdetare. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional.”, njofton policia. 

Edhe në Dhërmi pasi shkeli perimetrin e sigurisë ujore, duke lundruar me mjet lundrues dhe u kthye në rrezik për pushuesit që frekuentonin plazhin në Palasë, një shtetasi i është bllokuar menjëherë nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, mjeti lundrues Jet Ski.

Ai është ndëshkuar me masë administrative 100 000 lekë të rinj.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e Palasës, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues Jet Ski që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin K. L., me masën administrative 100 000 lekë të rinj si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues në Portin Himarë.”, njofton policia.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme