Ministri Balla pret Sekretarin e Shtetit të Gjermanisë: Konfirmohet mbështetja për vendet e Ballkanit Perëndimor

Aktualitet | 2 vite më parë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti sot në takim një delegacion gjerman të kryesuar nga Johann Saathof, Sekretar Shteti në Ministrinë Federale për Punët e Brendshme dhe Komunitetet, me të cilin diskutoi çështjet e bashkëpunimit dypalësh si dhe tema që lidhen me takimin ministerial që zhvillohet nesër në Tiranë.

Sekretari i Shtetit Saathof konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë Federale për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e nismës së “Procesit të Berlinit” dhe vuri në dukje angazhimin e spikatur të Shqipërisë lidhur me problematikat e migracionit të parregullt.

Ministri Balla falënderoi palën gjermane për mbështetjen e dhënë deri më sot, sidomos sa i përket mbështetjes ndaj agjencive ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar.

Balla nënvizoi edhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy policive, Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale të Gjermanisë, të cilat kanë zhvilluar disa operacione të përbashkëta, ndër më të njohurit është ai i quajtur “Anti-Skifter”.

Palët ranë dakord për nevojën e forcimit dhe thellimit të luftës kundër migracionit të parregullt dhe konsideruan që ministeriali i ditës së nesërme do të jetë një hap më tej në realizimin e këtij qëllimi.

Delegacioni gjerman do të marrë pjesë nesër në Ministerialin e Tiranës për çështjet e sigurisë dhe flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme