Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, Kruja: Surrogacia prek dinjitetin njerëzor

Aktualitet | 2 vite më parë

Këshilli Ndërfetar në vendin tonë ka dalë kundër projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, ndërsa sekretari i përgjithshëm Genti Kruja ka treguar konkretisht pikat me të cilat nuk janë dakord. Në studion e RTSH 24, Kruja përmend sterilizimin si një praktikë që, sipas tij është jashtë natyrës njerëzore.

Po ashtu, Këshilli Ndërfetar kundërshton edhe zgjatjen e kohës kur një grua mund të abortojë, nga 12 javë që është aktualisht në 14. Kruja argumenton se kjo mund të shkaktojë aborte selektive, pasi në javën e 14 është e dukshme gjinia e fetusit.

Edhe surrogacia është një tjetër pikë në projektligj me të cilën Këshilli Ndërfetar nuk bie dakord. Kruja shprehet se surrogacia prek dinjitetin njerëzor, teksa thekson se rrezikon ta kthejë Shqipërinë si një qendër për të kryer këtë praktikë për njerëzit nga shtete ku nuk lejohet.

“Ky projektligj përmban sterilizimin që për ne është jashtë natyrës njerëzore dhe praktikat kanë treguar se 80% e personave që kanë realizuar sterilizimin kanë shfaqur pendesë. Prek abortin ku sipas ligjit aktual një grua mund të abortojë deri në javën e 12 të shtatzënisë, me këtë projektligj rritet në 14 javë. Ne jemi totalisht kundër abortit, por në javën e 14 ne kemi mundësinë për të parë gjininë e fëmijës dhe kjo shkakton abortin selektiv, ku në këto 33 vite demokraci në Shqipëri kemi 33 mijë aborte selektive për shkak se gjinia e fetusit ka qenë femër. Besimet fetare janë pro jetës.

Një pikë tjetër është surrogacia dhe vetë përdorimi i kësaj fjale në projektligj, një fjalë e huaj, lë dyshime sepse mund të ishte përdorur termi nënë zëvendësuese, por është bërë për të shkaktuar konfuzion. Kjo prek dinjitetin njerëzor, ne nuk kemi kapur vetëm aspektin teologjik, kemi mbledhur mjekë, gjinekologë dhe juristë dhe natyrisht sociologë për të kapur anën etike dhe sociale dhe dëmet që shkakton ky projektligj në Shqipëri”, u shpreh ai.

Këshilli Ndërfetar i ka dërguar një letër të hapur institucioneve më të larta shtetërore, duke kërkuar që të jenë të pranishëm në dëgjesën publike të të projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”.

Ky projektligj, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Shëndetësisë, ka nxitur debate mbi disa risi, përfshirë uljen e moshës së abortit pa nevojën e konsensusit nga prindërit nga 18 vjeç në 16 vjeç, përfshirja e surrogacisë dhe rritja e kohës për ndërprerjen e shtatzënisë, me dëshirën e gruas për arsye të ndryshme nga 12 javë në 14.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme