Normalizohet situata e fluksit në pikën kufitare të Kapshticës, pala greke punon me 3 sportele

Situata është normalizuar këtë të martë (18 prill) në pikën kufitare të Kapshticës. Pala greke dhe shqiptarë po punojnë me nga 3 sportele, ndërsa është parashikuar që në varësi të fluksit të operohet me rritjen e numrit të tyre për përpunimin e dokumentacionit.
Situata ka qenë më e rënduar pasditen e së hënës ku janë krijuar radhë të gjata në tokën neutrale. Radhë që vinin si rezultat i punës me sportele të limituara nga pala greke por edhe për shkak të sistemit të ri të përpunimit të dokumentacionit të shtetasve që hyjnë në Greqi, çka kërkon më shumë kohë dhe për pasojë zgjat pritjen dhe shton fluksin. Për këtë arsye, për të shmangur radhët në tokën neutrale, pala jonë është detyruar të ulë ritmin e përpunimit të pasaportave dhe dokumenteve shoqërues, për udhëtarët me qëllim shmangien e kaosit në zonën neutrale.
Gjithsesi burime pranë drejtorisë vendore të Kufirit dhe Migracionit në Korçë bëjnë me dije se mes dy pikave doganore ka pasur takime të vazhdueshme për të lehtësuar situatën në kufi në mënyrë që të shmangen radhët e gjata të pritjes. Të njëjtat burime bëjnë me dije se e hëna ka qenë dita më e ngarkuar në këtë pikë të kalimit kufitar, pasi gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 4244 shtetas dhe kanë dalë në drejtim të Greqisë 6398 shtetas shqiptarë e të huaj.
E marta është paraqitur me e qetë, me lëvizje më të reduktuara por gjithsesi, burime pranë pikës kufitare të Kapshticës bëjnë me dije se vijon të jenë në gatishmëri me kapacitet të plotë të gjithë punonjësit e turnit, ndërsa në varësi të fluksit operohet me rritjen e numri të sporteleve për përpunimin e dokumentacionit.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



