Morinë, tentuan të kalonin 30 mijë euro të padeklaruara, policia sekuestron shumën e parave

Policia Kufitare në Morinë ka sekuestruar mbi 30 mijë euro, të cilat ishin fshehur me qëllim mosdeklarimi. Paratë ishin fshehur në çantat e dy shtetasve, ndaj të cilëve ka nisur dhe hetimi.
“Në vijën e dytë, u bë kalimi për kontroll të imtësishëm, përkatësisht, të automjetit me drejtues shtetasin T. S. dhe shtetasin D. V. Në çantën e shtetasit T. S., u gjetën dhe u sekuestruan 19 600 euro, ndërsa në çantën e dorës të shtetasit D. V., u gjetën dhe u sekuestruan 11 250 euro, shuma këto të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Në përfundim të veprimeve procedurale, u iniciua procedimi në gjendje të lirë për shtetasin çek T. S., 55 vjeç dhe për shtetasin D. V., 34 vjeç, banues në Tiranë.”- njofton policia.

Po sipas policisë, edhe në portin e Durrësit, u godit një rast i pajisjes së një shtetasi me pasaportë false, për të kaluar kufirin, në mënyrë të kundërligjshme. Të dy shtetasit kosovarë të përfshirë në këtë rast, u vunë në pranga.
Ndërsa në Kakavijë u godit një rast i tentativës për të dalë nga vendi ynë, me një sasi lënde narkotike kanabis, në automjet dhe për pasojë drejtuesi i këtij automjeti, u procedua penalisht.
“Në Port Durrës, u vunë në pranga shtetasit N. H., 54 vjeç dhe G. Q., 30 vjeç, të dy banues në Kosovë, pasi shtetasi G. Q. tentoi të kalonte kufirin, në kundërshtim me ligjin, duke përdorur pasaportën false me të cilën e kishte pajisur 54-vjeçari. Në PKK Kakavije, në dalje të RSh-së, u kalua për kontroll të imtësishëm, në vijën e dytë, automjeti me drejtues shtetasin G. L., në të cilin, si rezultat i kontrollit, u gjet dhe u sekuekstrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. L., 28 vjeç, rezident në Greqi.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.”- njofton policia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



