“21 janari”/ Xhaxhai i Aleks Nikës, kallëzim të ri në SPAK: Kemi prova, të vihen para përgjegjësisë Berisha, Basha dhe Prendi

Familjarët e Aleks Nika kanë kërkuar edhe këtë të enjte zbardhjen e vrasjes së tij me 21 janar. Ata kanë dorëzuar një kallzim të ri në SPAK kundrejt Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndue Prendi. Kallëzimi i ri vjen disa ditë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli moskompetencën për hetimin e dy kallëzimeve të Partisë Socialiste dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja. Ndaj familjarët i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme ndërsa kundërshtojnë vendimin për çuarjen e çështjes në Prokurorinë e Tiranës, dhe kanë kërkuar ta marrë në dorë SPAK.
Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika në një deklaratë për media, ka thënë se hetimin e çështjes së 21 Janarit, ia beson vetëm SPAK-ut, pasi sipas tij Prokuroria e Tiranës po zvarrit çështjen.
“Kemi prova ku identifikohet zëri i komandantit të gardës ku thuhet të qëllohet në mish. E dorëzojmë këtë vetëm te SPAK se te prokuroria nuk kemi besim. Ka një ndikim politik nëse nuk merret, se përgjigjen ata duhet të na i jepnin me shkrim, ata ja kanë kaluar prokurorisë, por prokuroria nuk ka këllqe ta hetojë këtë gjë“, tha Nika.
12 vite më parë, gjatë protestës së opozitës, asokohe Partia Socialiste, u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Veizit, Myrtajt dhe Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia, ndërsa u dënua ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardisti Agim Llupo me 3 vite. Ende pa autor mbetet vrasja e Aleks Nikës, pasi nuk është mundur të faktohet se nga cila armë është qëlluar predha që i mori jetën atij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




