Tërmeti tragjik i 6 shkurtit, Shqipëria i dhuron Turqisë 1 mln euro, Rama: S’do ta harrojmë atë që Erdogan bëri për ne pas tërmetit të 2019

Shqipëria do t’i dhurojë Turqisë 1 milionë euro, si ndihmë për vendin pas tërmetit tragjik të 6 shkurtit që i mori jetën mijëra personave. Në një lidhje telefonike për mediat turke, ku u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës një fushatë masive për mbledhjen e fondeve për të shëruar plagët e të mbijetuarve nga tërmeti, Rama shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, teksa theksoi se Shqipëria nuk do ta harrojë ndihmën e Turqisë pas tërmetit të 2019 që goditi vendin tonë.
“Faleminderit që më telefonuat dhe më bëtë pjesë të kësaj shfaqjeje mbresëlënëse ndjeshmërie. Jam shumë i nderuar të sjell në ekranin tuaj zërin e ndjeshmërisë së Shqipërisë. Shqipëria kaloi të hënën një ditë zie, me flamurin tonë në gjysmështize brenda vendit, si edhe në përfaqësitë tona kudo në botë, për të shprehur dhimbje për viktimat e solidaritet për këtë tragjedi. Ne kemi qenë sa më të shpejtë që mundëm në dërgimin e forcave të ushtrisë dhe të ekipeve të kërkim shpëtimit. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që Turqia e Presidenti Erdogan bënë kur shqiptarët u goditën nga tërmeti tragjik i 2019-ës dhe kemi shumë dëshirë të japim edhe ne mbështetjen tonë për popullin turk. Shpresojmë se familjet e prekura do ta kalojnë këtë falë bujarisë e solidaritetit fantastik të njerëzve tuaj, po edhe të të gjithë miqve tuaj nëpër botë. Në emër të qytetarëve shqiptarë ne si Shqipëri do të dhurojmë 1 milionë euro. E dimë që nevojiten shumë e shumë më tepër, por jemi pranë jush dhe bëjmë aq sa mundemi”. “Shqipëria e vogël me zemër shumë të madhe! Faleminderit kryeministri Edi Rama për miqësinë respektin dhe mbështetjen tuaj””, tha Rama
Dhjetra personazhe të famshëm dhe biznesmenë turkë morën pjesë në natën e bamirësisë “Turqia një zemër”, e cila u mbajt me transmetimin e përbashkët të shumë kanaleve televizive.
Turqia dhe Siria u goditën nga një tërmet fatal me forcë 7.8 ballë mëngjesin e 6 shkurtit, ku deri më tani numri i viktimave ka shkuar në mbi 41 mijë, ndërkohë që ende vijojnë kërkimet nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



