Izraeli hedh poshtë akuzat e Iranit mbi përgjegjësinë për rënien e Assad-it

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Iranit se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ishin përgjegjës për rënien e presidentit sirian Bashar Assad, duke akuzuar Teheranin se po përpiqet të krijojë një “front lindor” në kufirin jordanez.
Udhëheqësi suprem i Republikës Islamike, “Ayatollah Ali Khamenei, lideri i Iranit, akuzoi sot Izraelin si përgjegjës për rënien e ish-presidentit sirian Assad”, tha Katz gjatë një vizite në kufirin jordanez me shefat e ushtrisë.
Ai shtoi se Khamenei “duhet të fajësojë veten” për investimin në grupe të armatosura “në Siri, Liban dhe Gaza për të ndërtuar armët e oktapodit që ai drejton në përpjekje për të mposhtur Shtetin e Izraelit”.
“Unë erdha këtu sot për t’u siguruar që Irani nuk do të ketë sukses në ndërtimin e oktapodit që planifikon të krijojë këtu për të krijuar një front lindor kundër Shtetit të Izraelit”, tha ai, duke sugjeruar se Irani qëndron pas “përpjekjeve për të kontrabanduar armë dhe financuar terrorizmin dhe promovimin e terrorizmit përmes Jordanisë” në Bregun Perëndimor, një territor i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967.
Katz shtoi se ai kishte udhëzuar ushtrinë që të “intensifikojë operacionet sulmuese kundër të gjitha aktiviteteve terroriste” dhe “të përshpejtojë ndërtimin e gardhit në kufirin izraelito-jordanez”.
Khamenei, i cili ka fjalën e fundit në çështjet e vendit të tij, akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për komplot kundër Assad-it, në fjalimin e tij të parë që nga rënia e ish-presidentit sirian të dielën.
“Nuk ka dyshim se ajo që ndodhi në Siri është rezultat i një komploti nga Shtetet e Bashkuara dhe (Izraeli)”, u shpreh Khamenei.
Bashar al-Assad ka luajtur prej kohësh një rol strategjik në “boshtin e rezistencës” anti-izraelite të Iranit, duke përfshirë lehtësimin e furnizimit me armë për Hezbollahun në Liban, fqinjin e Izraelit.
Ky aks përfshin gjithashtu Hamasin, rebelët Houthi në Yemen dhe milicitë në Irak.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




