Dhjetë ngjarjet më vdekjeprurëse të motit të 20 viteve të fundit dhe si ato u nxitën nga ndryshimet klimatike

Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit nxitën të gjitha dhjetë ngjarjet më vdekjeprurëse të motit të dy dekadave të fundit, sipas një studimi.
Ciklonet e egër, valët e të nxehtit, thatësira dhe përmbytjet kanë vrarë më shumë se 570.000 njerëz. Të gjitha u bënë më intensive dhe më të mundshme në një atmosferë më të nxehtë, tha grupi World Weather Attribution (WWA) në universitetin kërkimor Imperial College London.
Hulumtimi tregon se si shkencëtarët mund të zbulojnë “gjurmën e ndryshimit të klimës” në ngjarje komplekse të motit, të tilla si përmbytjet vdekjeprurëse të fundit në Spanjë.
“Ndryshimi i klimës nuk është një kërcënim i largët,” tha Dr Friederike Otto, bashkëthemeluese dhe drejtuese e World Weather Attribution.
“Ky studim duhet t’i hapë sytë liderëve politikë që varen nga lëndët djegëse fosile që ngrohin planetin dhe shkatërrojnë jetë. Nëse vazhdojmë të djegim naftë, gaz dhe qymyr, vuajtjet do të vazhdojnë”, shtoi ajo.
Ekipi analizoi dhjetë ngjarjet më vdekjeprurëse të motit në bazën ndërkombëtare të të dhënave të fatkeqësive që nga viti 2004:
Bangladesh, Cikloni Sidr, 2007; 4.234 persona vdiqën
Myanmar, Cikloni Nargis, 2008; 138.366 persona vdiqën
Rusi, vala e të nxehtit, 2010; 55.736 persona të vdekur
Somali, thatësira, 2010-2012; 258.000 persona vdiqën
Uttakarand, Indi, përmbytja, 2013; 6.054 persona vdiqën
Filipine, tajfuni Haiyan, 2013; 7.354 persona vdiqën
Francë, vala e të nxehtit, 2015; 3,275 persona vdiqën
Evropa, valët e të nxehtit, 2022; 53,542 persona vdiqën
Evropa, valët e të nxehtit, 2023; 37,129 persona vdiqën
Libi, Stuhia Daniel, 2023; 12,352 persona vdiqën
Vala e të nxehtit e vitit 2023 shënoi temperatura në Mesdheun perëndimor që do të ishin “të pamundura” pa ndryshimet klimatike, tha Otto. Ajo tregoi se si edhe një zonë e pasur, me burime të mira ishte e cenueshme.
Ngjarja më vdekjeprurëse ishte thatësira në Somali në të cilën vdiqën 258.000 njerëz. Dështimet e të korrave çuan në zi buke.
WWA paralajmëroi se numri i kombinuar i vdekjeve është një “nënvlerësim i madh”, pasi miliona vdekje të tjera të lidhura me nxehtësinë ka të ngjarë të nën-raportohen në statistikat zyrtare.
WWA është një nga organizatat kryesore globale në shkencë që vlerëson rolin e ndryshimeve klimatike në mot ekstrem.
Studiuesit thanë se gjetjet tregojnë se si ndryshimi i klimës është tashmë tepër i rrezikshëm në 1.3°C të ngrohjes.
Javën e kaluar Programi i Mjedisit i OKB-së paralajmëroi se bota është në rrugën e drejt 2.6-3.1C të ngrohjes globale mbi nivelet para-industriale, përpara se njerëzit të fillonin djegien e lëndëve djegëse fosile në shkallë të gjerë. Në nëntor, udhëheqësit globalë do të takohen në Baku, Azerbajxhan, për COP29 , bisedimet vjetore të OKB-së për klimën.
Negociatat synojnë të bien dakord për një fond të ri për të ndihmuar vendet në zhvillim të heqin dorë nga karburantet fosile, shkaku kryesor i ndryshimit të klimës, dhe të përshtaten me motin më të ashpër në një botë më të nxehtë.
Në bisedimet për klimën COP27 në Egjipt në vitin 2022, një fond i veçantë u ra dakord për t’u paguar në mënyrë specifike për humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike që janë aq të këqija saqë janë përtej sferave të përshtatjes, siç është humbja e jetëve.
Por fondi nuk pritet të fillojë të lëvrohet të paktën deri në vitin 2025, dhe shuma e premtuar deri më tani është një pjesë e vogël e asaj që nevojitet./ Skynews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




