Putini mbyll samitin treditor të BRICS

Botë | 2 vite më parë

Presidenti rus Vladimir Putin mbylli samitin e BRICS, duke vlerësuar rolin e tij si kundërpeshë ndaj atyre që ai i quajti “metodat perverse” të Perëndimit.

Në samitin treditor në qytetin e Kazanit morën pjesë liderë të 36 vendeve, duke theksuar dështimin e përpjekjeve, të udhëhequra nga SHBA-ja për të izoluar Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë.

Konflikti u diskutua vazhdimisht në takim, ndersa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres zhvilloi vizitën e parë në Rusi, në më shumë se dy vjet, e cila u prit me kritika nga Kievi.

Guterres bëri thirrje për “paqe të drejtë” në Ukrainë, në përputhje me Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme. Ai gjithashtu kërkoi një fund të menjëhershëm të luftimeve në Gazë, Liban dhe Sudan.

Në një konferencë për shtyp të premten në mbrëmje, Putini u pyet në lidhje me premtimin e ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.

“Ajo që Trump tha kohët e fundit, ajo që dëgjova, është se ai foli për dëshirën për të bërë gjithçka për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë,” tha Putin.

“Më duket se e ka thënë sinqerisht. Ne, sigurisht mirëpresim deklarata të këtij lloji, pavarësisht se kush i bën ato”, theksoi ai.

Putini gjithashtu u pyet nëse trupat koreano-veriore ndodheshin në Rusi, gjë që ai as e konfirmoi dhe as nuk e mohoi.

SHBA-ja tha të mërkurën se 3 000 trupa të Koresë së Veriut ishin dislokuar në Rusi dhe ishin duke u trajnuar në disa lokacione.

Putin vuri në dukje se ligjvënësit në Moskë më herët gjatë ditës, kishin ratifikuar një pakt me Korenë e Veriut për ndihmën e ndërsjellë ushtarake si pjesë e një partneriteti strategjik me Phenianin. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme