Izraeli sulmon Iranin, iu përgjigj sulmit raketor të 1 tetorit nga Teherani

Ushtria izraelite tha se filloi sulme “precize ” ndaj objektivave në Iran, si hakmarrje për sulmet iraniane ndaj Izraelit, të kryera në fillim të këij muaji. Sulmi disa orësh i Izraelit përfundoi pak para agimit në Teheran, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër objektet e përdorura për prodhimin e raketave me të cilat Irani goditi Izraelin më 1 tetor.
Fillimisht u paralajmerua se objektet bërthamore dhe rezervat e naftës mund t ishin objektivat e kundërpërgjigjes se Izraelit ndaj Iranit. “Regjimi në Iran dhe grupet e lidhura me të në rajon kanë sulmuar intensivisht Izraelin që nga 7 tetori, në disa fronte, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta nga toka iraniane” – tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hangari.
“Ashtu si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtën dhe detyrën të përgjigjet”- shtoi ai. Ushtria iraniane tha se sulmet kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Kuzestan dhe Teheran dhe shkaktuan “dëme të kufizuara”.
Presidenti Joe Biden dhe zv.Presidentja Kamala Harris u informuan mbi operacionin e Izraelit, njoftoi Shtëpia e Bardhë e cila shtoi se ata po ndjekin nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojnë të informohen.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se Uashingtoni është njohur me nisjen e sulmeve izraelite. “Uashingtoni është në dijeni se Izraeli po kryen sulme të sakta ajrore ndaj objektivave të caktuara ushtarake në Iran në ushtrim të së drejtës për t’u vetëmbrojtur dhe në përgjigje të sulmit të Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit, në 1 tetor”- tha ai.
Kjo ishte hera e parë që ushtria izraelite sulmoi hapur Iranin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




