Dy javë nga zgjedhjet në SHBA, kandidatët presidencialë ashpërsojnë kritikat në fushatat në shtetet kyçe

Botë | 2 vite më parë

Dy javë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, kandidatja demokrate, Kamala Harris zhvilloi takime në shtetet kyçe me Liz Cheney, një ish-kongresmene republikane, e cila kritikon ashpër Donald Trump. Në një përpjekje për t’i bindur ata të ndryshojnë parti, Harris u përpoq t’u bënte thirrje votuesve republikanë të zhgënjyer me Trumpin, duke u thënë se nuk janë vetëm. Ajo sulmoi rivalin republikan edhe për politikën e jashtme .

“Ish-presidenti Trump do të bënte që Ukraina t’i dorëzohej Rusisë nëse ai fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit”, – tha zëvendëspresidentja gjatë një takimi në shtetin e Miçiganit.

“Nëse Donald Trump do të ishte president, Vladimir Putin do të ishte ulur këmbëkryq në Kiev. Fati i demokracisë amerikane është në rrezik në zgjedhjet presidenciale të nëntorit”, tha ajo.

Vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, Donald Trump ashpërsoi sulmet kundër rivales demokrate.

 “Kamala Harris nuk ka dhembshurinë, zgjuarsinë apo forcën për të qenë presidente e Shteteve të Bashkuara”, – tha republikani në një tubim në Karolinën e Veriut. Ndërsa në një takim me të krishterët në atë shtet kyç për zgjedhjet e 5 nëntorit, ai  tha se një “dorë e mbinatyrshme” e shpëtoi atë nga atentati i muajit korrik. Trump u kërkoi të krishterëve anembanë Shteteve të Bashkuara që të ngrihen dhe të shpëtojnë vendin e tyre, duke paralajmëruar se rrezikojnë të humbasin lirinë e tyre fetare dhe lirinë e fjalës nëse Kamala Harris zgjidhet presidente.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme