SHBA paketë të re ndihme për Kievin, Biden: 425 milionë dollarë për të ndihmuar Ukrainën

Botë | 2 vite më parë

Presidenti Joe Biden zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ku e njoftoi për një paketë të re ndihme në fushën e sigurisë me vlerë 425 milionë dollarë. Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se paketa përfshin armatim shtesë për mbrojtjen ajrore, raketa tokë-ajër, automjete të blinduara dhe armatime të tjera thelbësore për të trajtuar nevojat urgjente ushtarake të këtij vendi.

Biden synon të forcojë mbështetjen ushtarake amerikane për Ukrainën para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit. Muajin e ardhshëm Presidenti i SHBA pritet të drejtojë një takim virtual të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës për të koordinuar ndihmën ndërkombëtare për këtë vend.

Ndërsa Zelensky pritet të nxisë objektivin e vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO këtë të enjte, gjatë një takimi në Bruksel me ministrat e mbrojtjes së aleancës ushtarake, synim  që e publikoi një ditë më parë kur prezantoi “planin e tij të fitores” ndaj Rusisë para deputetëve të vendit të tij. Ndërkohë shefi i NATO-s Mark Rutte tha se ka ende çështje të vështira që duhen zgjidhur, përpara se Ukraina të anëtarësohet në aleancë.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme