Izraeli zgjeron operacionet tokësore drejt Libanit jugperëndimor

Ushtria izraelite tha këtë të martën se kishte filluar operacionet tokësore në Libanin jugperëndimor, duke zgjeruar inkursionet e saj në një zonë të re, ku tha se po kryente “operacione të kufizuara, të lokalizuara dhe të synuara” kundër Hesbollahut. Tensionet rajonale të shkaktuara një vit më parë nga sulmi i grupit të armatosur palestinez të Hamasit në jug të Izraelit kanë çuar në një varg operacionesh izraelite nga toka dhe ajri mbi Liban dhe sulme të drejtpërdrejta nga Irani ndaj instalimeve ushtarake izraelite.
Ushtria izraelite goditi periferitë jugore të Bejrutit gjatë natës dhe tha se vrau një drejtues të lartë të Hezbollahut përgjegjës për buxhetin dhe logjistikën e grupit. Nëse konfirmohet, vdekja e Suhail Hussein Husseini do të ishte më e fundit në një varg vrasjesh nga Izraeli të liderëve dhe komandantëve të Hezbollahut dhe aleatit të tij Hamas.
Koordinatori Special i Kombeve të Bashkuara për Libanin dhe kreu i misionit paqeruajtës të OKB-së në vend u shprehën se thirrjet e tyre të përsëritura për vetëpërmbajtje dhe qetësim kishin “kaluar pa u vënë re”.
“Sot, një vit më vonë, shkëmbimet ditore të zjarrit janë përshkallëzuar në një fushatë të pandërprerë ushtarake, ndikimi humanitar i së cilës është asgjë më pak se katastrofike,” thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




