Biden do përdorë mandatin e mbetur për të forcuar pozitat e Ukrainës ndaj Rusisë

Botë | 2 vite më parë

Presidenti i SHBA Joe Biden do të përdorë pjesën e mbetur të mandatit të tij në detyrë “për ta vendosur Ukrainën në pozicionin më të mirë të mundshëm” kundër Rusisë. Kështu u shpreh këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan, ndërsa shtoi se Biden do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në fund të shtatorit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork për të diskutuar ndihmën për Ukrainën.

“Presidenti Zelensky ka thënë se përfundimisht kjo luftë duhet të përfundojë përmes negociatave dhe ne kemi nevojë që ata të jenë të fortë në ato negociata,” tha Sullivan, duke shtuar se Ukraina do të vendoste se kur do të hynte në bisedime me Rusinë.

Biden do të zëvendësohet në janarin e ardhshëm ose nga zëvendëspresidentja e tij Kamala Harris , e cila ka treguar se do të vazhdojë politikat e tij për të mbështetur Ukrainën, ose nga ish-presidenti Donald Trump , i cili nuk është prononcuar nëse do donte që Kievi të fitonte luftën.

Takimi Biden-Zelensky vjen pasi Moska dhe Kievi shkëmbyen 103 të burgosur lufte secila në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të fitojnë terren në ofensivën e tyre të ashpër në Ukrainën lindore.

Rusët e liruar në shkëmbimin e fundit u kapën gjatë inkursionit të fundit ndërkufitar të Ukrainës në rajonin e Kurskut, tha Moska, ndërsa disa nga ukrainasit e liruar ishin mbajtur të burgosur që kur Moska pushtoi fabrikën e çelikut Azovstal në maj 2022.

“103 ushtarë të tjerë u kthyen në Ukrainë nga robëria ruse”, tha Zelensky në Telegram.

Rusia konfirmoi se kishte “dorëzuar” 103 të burgosur të ushtrisë ukrainase dhe në këmbim mori 103 ushtarakë rusë të kapur nga Kievi.

“Të gjithë ushtarakët rusë ndodhen në territorin e Republikës së Bjellorusisë , ku po iu ofrohet ndihma e nevojshme psikologjike dhe mjekësore”, tha ministria ruse e mbrojtjes.

Megjithatë tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit për konfliktin arritën nivelet maksimale për shkak të diskutimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA për lejimin e Ukrainës të përdorë armë me rreze më të gjatë për të goditur objektivat brenda Rusisë.

Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se “drita jeshile” e përdorimit të armëve me rreze të gjatë thellë brenda Rusisë do ta vendoste aleancën ushtarake të NATO-s “në luftë” me Moskën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme