OKB: Mbi 600 mijë fëmijë në Gaza të traumatizuar dhe të privuar nga arsimi

Sociale | 2 vite më parë

Komisioneri i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini tha se mbi 600 mijë fëmijë kanë përjetuar traumë dhe janë privuar nga e drejta e tyre për arsim në Rripin e Gazës, ku sulmet izraelite kanë vazhduar që nga 7 tetori.

Në deklaratën në llogarinë e tij në median sociale, Lazzarini tha se “Fëmijët vazhdojnë arsimin në shkollat ​​e UNRWA-së, përveç Gazës”.

“Në Gaza janë mbi 600 mijë fëmijë të cilët janë të traumatizuar rëndë, të privuar nga arsimi dhe që jetojnë mes rrënojave”, deklaroi Lazzarini i cili shtoi se “Gjysma e tyre mësonin në shkollat ​​e UNRWA-së”.

“Sa më gjatë që fëmijët qëndrojnë larg shkollës, aq më e madhe është humbja e brezit”, tha Lazzarini i cili potencoi rëndësinë e arsimimit për fëmijët.

Ai tha se më shumë se 70 për qind e shkollave të UNRWA-së në Gaza janë shkatërruar ose dëmtuar. Lazzarini vuri në dukje se shkollat ​​janë bërë strehimore për qindra mijëra familje të zhvendosura palestineze.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 e deri më tani janë vrarë 40.786 palestinezë, përfshirë të paktën 16.673 fëmijë dhe 11.269 gra ndërsa janë plagosur 94.224 të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata.

Sipas ATSH

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme