Ushtria izraelite vret komandantin e Hamasit dhe dy luftëtarë të tjerë në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite ka bërë me dije se ka vrarë tre anëtarë të Hamasit, duke përfshirë një komandant, ndërsa ofensiva e saj në Bregun Perëndimor ka hyrë në ditën e tretë.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se vranë Ëissam Khazem, të cilin e përshkroi si liderin e Hamasit në qytetin e Jeninit, në një shkëmbim zjarri me armë pasi ai u identifikua “në një automjet në zonë”. Ushtria tha se kishte gjetur armë dhe para në automjet.
Dy të tjerë u vranë gjithashtu teksa u përpoqën të largoheshin nga automjeti, sipas ushtrisë izraelite, duke i bërë me dije se bëhet fjalë për Maysara Masharqa dhe Arafat Amer.
Në një deklaratë, Brigadat Al-Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, pranoi vdekjen e tre personave dhe konfirmoi se Khazem ishte një nga udhëheqësit e saj në Jenin.
Që nga e premtja, 19 palestinezë janë vrarë gjatë një operacioni të gjerë ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor që përfshin qytetet Jenin, Tubas dhe Tulkarem, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë dhe grupeve palestineze.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




