Ukraina prodhon një armë të re me rreze të gjatë, anashkalon kufizimet perëndimore për të goditur thellë në Rusi

Botë | 2 vite më parë

Ukraina thotë se ka tani një armë të re me rreze të gjatë për të goditur thellë Rusinë pa kërkuar leje nga aleatët – një kombinim i raketave dhe dronëve që ministri i mbrojtjes u zotua të hënën se do të jepte “përgjigje” për një valë bombardimesh ruse.

“Palianytsia” u krijua për shkak të nevojës urgjente, thanë zyrtarët ukrainas, pasi Rusia ka dominuar qiejt që nga shpërthimi i luftës në shkurt 2022 dhe aleatët perëndimorë të Ukrainës kanë vendosur kushte për përdorimin e raketave të tyre me rreze të gjatë veprimi në Rusi. Të hënën, një valë raketash dhe dronësh rusë shënjestroi infrastrukturën elektrike të Ukrainës në sulmin më të madh të tillë në javë.

“Mbrojtësit e jetës nuk duhet të kenë kufizime për armët, për sa kohë që Rusia përdor të gjitha llojet e armëve të veta”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy në një mesazh Telegram pas sulmeve.

Zelenskyy konfirmoi të shtunën ekzistencën e Palianytsias, duke e cilësuar atë “një klasë të re” armësh. Arma u përdor për herë të parë të shtunën, në ditën e 33-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës, duke vënë në shënjestër një objekt ushtarak rus në territorin e pushtuar, thanë zyrtarët pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov premtoi të hënën se arma do të përdoret sërish së shpejti në përgjigje të sulmit gjatë natës në Ukrainë.

“Ukraina po përgatitet të përgjigjet me armë të prodhuara nga ajo vetë”, u shpreh ai në faqen e tij në Facebook. “Kjo dëshmon edhe një herë se që të fitojmë, ne kemi nevojë për armë me rreze të gjatë veprimi dhe heqjen e kufizimeve për goditjet ndaj objekteve ushtarake të armikut.”

Një video e ushtrisë ukrainase la të kuptohej se rrezja e saj është deri në 700 kilometra – e ngjashme me raketat me teknologji të avancuar që kanë dërguar Shtetet e Bashkuara.

Ministri i teknologjisë i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, i tha agjencisë Associated Press në intervistën e tij të parë lidhur me armën e re, se hapi i mëtejshëm ishte shtimi i prodhimit.

“Unë mendoj se kjo do të ndryshojë rregullat e lojës, sepse ne do të jemi në gjendje të godasim atje ku Rusia nuk e pret sot,” tha ai.

Ministri Fedorov nuk pranoi të japë detaje për rrezen e veprimit apo sasinë e armëve të prodhuara duke përmendur arsyet e sigurisë, por tha se ai ka qenë i angazhuar në projektet për zhvillimin e raketave vendase që nga fundi i vitit 2022.

Arma e re ka qenë një synim afatgjatë i Ukrainës. Një nga specialistët e përfshirë në projektin e raketave me rreze të gjatë veprimi tha se ishte “një zhvillim krejtësisht i ri” që filloi rreth 18 muaj më parë.

Ukraina thotë se pamundësia për t’iu kundërpërgjigjur armëve ruse me rreze të gjatë veprimi ka pasoja vdekjeprurëse. Komandanti i Përgjithshëm i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi tha se Rusia ka lëshuar 9,627 raketa me rreze të gjatë veprimi dhe mbrojtja e Ukrainës ka rrëzuar vetëm një të katërtën e tyre dhe se më shumë se gjysma e objektivave të Rusisë ishin civile.

Fedorov thanë se çdo raketë kushton më pak se 1 milion dollarë dhe ushtria po i drejtohet sektorit privat për të ulur më tej kostot e prodhimit. AP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme