Blinken mbyll vizitën në Lindjen e Mesme pa arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbylli vizitën e tij të nëntë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gazë pa siguruar një marrëveshje armëpushimi.
Ai paralajmëroi të martën se koha është e një rëndësie kritike, megjithëse si Hamasi edhe Izraeli sinjalizuan se mbeten ende sfida.
Pas takimeve në Egjipt dhe Katar, dy vendet e tjera ndërmjetësuese, zoti Blinken tha se duke qenë se Izraeli ka pranuar një propozim për tejkalimin e pengesave të fundit për marrëveshjen me grupin militant, tani vëmendja është që të bëhen të gjitha përpjekjet e mundura për të siguruar miratimin nga Hamasi që të dyja palët të bien dakord për detajet kryesore mbi zbatimin e saj.
“Mesazhi ynë është i thjeshtë. Është e qartë dhe është urgjente. Duhet të finalizojmë një marrëveshje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve dhe kjo duhet ta bëhet tani. Elementi i kohës është thelbësor”, u tha ai gazetarëve përpara se të largohej nga Katari.
Arritja e një marrëveshjeje është bërë më urgjente pas vrasjeve të kohëve të fundit të udhëheqësve militantë të Hamasit dhe Hezbollahut në Iran dhe Liban, të cilat i janë atribuuar Izraelit, pas së cilave Irani dhe Hezbollahu kanë paralajmëruar për hakmarrje, gjë që ka ngjallur frikën e një lufte më të gjerë rajonale.
Detajet publike për propozimin e ri të paraqitur nga SHBA, Egjipti dhe Katari, kanë qenë të pakta. Zoti Blinken tha se ai është “shumë i qartë lidhur me fazat e tërheqjes izraelite nga Gaza dha se ku do të bëhet ajo”.
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




