Blinken në Izrael për të nxitur marrëveshjen e armëpushimit për Gazën

Botë | 2 vite më parë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Izraelin, ndërsa negociatat për një armëpushim në konfliktin e Gazës po arrijnë një fazë kritike.

”Blinken planifikon të jetë të shtunën atje për të vazhduar përpjekjet intensive diplomatike në terren në Izrael”, njoftoi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

“Sekretari Blinken do të nënvizojë nevojën e madhe për të gjitha palët në rajon për të shmangur përshkallëzimin ose çdo veprim tjetër që mund të minojë aftësinë për të finalizuar një marrëveshje”, tha zëdhënësi.

Negociatat u shtynë të premten për javën e ardhshme.

Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara nuk arritën një përparim me Izraelin dhe lëvizjen islamike palestineze Hamas.

Sipas një deklarate të përbashkët, bisedimet dyditore në kryeqytetin e Katarit, Doha, ishin konstruktive.

Një tjetër takim i nivelit të lartë është planifikuar të zhvillohet në Kajro para fundit të javës së ardhshme.

Qeveria amerikane shpreh besimin në negociatat për armëpushim në konfliktin e Gazës dhe në të njëjtën kohë kërkon gatishmëri për kompromis.

Sipas tre ndërmjetësuesve, ka një propozim që synon të mbushë boshllëqet e mbetura.

Kjo është në përputhje me parimet e planit të paqes të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden në fund të majit.

/ rtsh.al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme