Ukraina pushton qytetin Sudzha në rajonin Kursk të Rusisë

Botë | 2 vite më parë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të enjten se forcat ukrainase kanë marrë kontrollin e qytetit rus të Sudzha, më shumë se një javë pasi forcat e tij filluan një inkursion ndërkufitar në rajonin Kursk të Rusisë.

Forcat e Kievit kanë qenë në qytet, që ndodhet 105 km në jugperëndim të qytetit të Kursk, që nga e mërkura e kaluar, por ky është konfirmimi i parë nga presidenti ukrainas se ushtria e tij e kishte kapur atë.

Shefi ushtarak ukrainas Oleksandr Syrskyi tha se trupat ukrainase kanë përparuar 35 kilometra përmes mbrojtjes ruse që nga fillimi i sulmit të tyre të befasishëm, duke kapur 1150 kilometra katrorë territor dhe 82 vendbanime.

Syrskyi tha se një zyrë komanduese ushtarake është ngritur në Sudzha “për të ruajtur ligjin dhe rendin dhe për të përmbushur nevojat prioritare të popullsisë në territoret e kontrolluara”.

Sudzha ndodhet pranë një terminali rus të gazit, një pikë kyçe për furnizimin me gaz nga Rusia, nëpërmjet Ukrainës, në Evropë. Kjo ka nxitur spekulime se një nga qëllimet e Kievit mund të jetë të kufizojë një burim fitimprurës financimi për Moskën.

Inkursioni tokësor i Ukrainës ka detyruar dhjetëra mijëra rusë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe ka ngritur Rusinë në këmbë ndërsa ajo po përpiqet të zmbrapsë trupat e Kievit.

Të mërkurën u panë dronë ukrainas që synonin katër fusha ajrore ruse në sulmin më të madh të tillë të luftës. Një burim në shërbimin e sigurisë së Ukrainës tha për CNN se sulmi kishte në shënjestër katër baza në rajonet jugperëndimore të Kursk dhe Voronezh dhe Nizhny Novgorod, në lindje të Moskës.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se shkatërroi 117 dronë “të tipit aeroplan” dhe katër raketa taktike mbi Kursk dhe rajonet fqinje.

Sulmi i Ukrainës – i cili përbën  një siklet të madh për Kremlinin – përfaqëson një ndryshim të dukshëm në taktika për Kievin, duke shënuar herën e parë që trupat e huaja kanë hyrë në territorin rus që nga Lufta e Dytë Botërore.

Rusia ka tërhequr rezervat nga zonat kryesore të fushëbetejës në Ukrainë dhe Krimenë e pushtuar nga Rusia për të zmbrapsur përparimet e Kievit, tha një komandant ushtarak ukrainas për CNN të mërkurën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme