Irani refuzon thirrjet për vetëpërmbajtje, mund të sulmojë Izraelin këtë javë

Botë | 2 vite më parë

Ministria e Jashtme e Iranit refuzoi thirrjet për vetëpërmbajtje, në kundërpërgjigjen pas vrasjes së një udhëheqësi të Hamasit në Teheran, duke u shprehur se thirrja e Francës, Gjermanisë dhe Britanise “nuk është e logjikshme politikisht dhe është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”.

Tre vendet europiane shpërndanë një deklaratë të hënën në të cilën i bënin thirrje Iranit dhe aleatëve të tij qëtë përmbaheshin në sulmet ndaj Izraelit.

“Pa asnjë kundërshtim ndaj krimeve të regjimit Zionist (Izraelit), deklarata e tre vendeve europiane, i kërkon padrejtësisht Iranit që të mos reagojë për shkeljen e integritetit dhe sovranitetit të tij territorial”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit Nasser Kanaani.

“Të hënën, Presidenti i Iranit i tha kryeministrit britanik se Teherani ka të drejtë të kundërpërgjigjet ndaj Izraelit për vrasjen e udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Haniyeh dhe se kjo kundërpërgjigje do të shkurajonte kryerjen e agresioneve të tjera në të ardhmen”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve iraniane Irna. 

Irani mund të sulmojë këtë javë Izraelin

Irani mund të ndërmarrë sulme ndaj Izraelit që “këtë javë”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Kirby. “Ne duhet të jemi të përgatitur për një sasi të konsiderueshme sulmesh,” u tha ai gazetarëve, duke shtuar se edhe Uashingtoni mendon sikurse Izraeli se kjo “mund të ndodhë këtë javë”.

Kirby e dha këtë deklaratë pasi Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, zhvilloi bisedime me krerët e Mbretërisë së Bashkuar, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë, gjatë të cilave ai diskutoi për mundësinë e një armëpushimi në Gazë dhe mënyrat për të shpërshkallëzuar tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë të përbashkët të bërë të hënën nga Presidenti Biden dhe katër liderët evropianë thuhet: “Ne i kërkojmë Iranit të heqë dorë nga kërcënimet e tij të vazhdueshme për një sulm ushtarak kundër Izraelit dhe diskutuam për pasojat serioze për sigurinë rajonale nëse ndodh një sulm i tillë”.

Izraeli në “gatishmëri maksimale”

Izraeli po përgatitet për një sulm të madh pas vrasjes së udhëheqësit politik të Hamasit, Ismail Haniya, muajin e kaluar në Teheran, një ditë pasi gjatë një sulmi izraelit në Bejrut ishte vrarë një komandant i lartë i Hezbollahut.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se Izraeli është në “gatishmëri maksimale” dhe i merr seriozisht kërcënimet iraniane, por se aktualisht nuk ka ndryshime në udhëzimet për mobilizimin e civilëve.

Ndërkohë edhe SHBA-ja po shton me shpejtësi praninë e saj ushtarake në rajon në pritje të një sulmi iranian.

Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar se qëndron pas vrasjes së Haniyhas, por qeveria izraelite ishte zotuar më parë se do ta vriste atë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Hamasit për shkak të rolit të tyre në sulmet terroriste të 7 tetorit.

Ushtria amerikane në gadishmëri

Në përgjigje të rritjes së tensioneve në rajon, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin udhëroi të dielën dërgimin e një nëndetëseje me raketa në Lindjen e Mesme, si edhe ka kërkuar që grupi luftarak i aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” të lundrojë më me shpejtësi drejt rajonit,

I pyetur nëse ky njoftim ishte një mesazh për Iranin, sekretari për shtypin i Pentagonit, gjeneral majori Pat Ryder u përgjigj “absolutisht po”.

“Ne po përpiqemi të përcjellim mesazhin se po kërkojmë ulje të tensioneve, por kemi aftësitë e nevojshme në rajon për të mbrojtur forcat ndërsa mbështesim mbrojtjen e Izraelit”, tha ai të hënën.

Të hënën, Hamasi tha se ushtarët e tij vranë një peng izraelit dhe plagosën dy të tjerë. Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin si hakmarrje për sulmin terrorist të 7 tetorit në të cilin sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë.

Kundërofensiva e Izraelit ka vrarë rreth 40,000 njerëz në Gazë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, ndërsa Izraeli thotë se bilanci përfshin mijëra luftëtarë të Hamasit. DW  Associated Press/ Reuters/ Agence France-Presse

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme