Ndahet nga jeta aktorja e “Black Panther”, Connie Chiume

Connie Chiume, aktorja veterane e Afrikës së Jugut , e cila luajti në filmin e Marvel 2018 “Black Panther”, është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare.
Ka qenë familja e aktores ajo që konfirmoi lajmin e hidhur, ndërsa bën me dije se Chiume mbylli sytë përgjithmonë në një spital të Johanesburgut.
Në një njoftim të shkurtër në Instagram të martën, ata thanë se: “Familja Chiume me keqardhje ju informon për ndarjen nga jeta të aktores Connie Chiume, fituese e çmimit Ndërkombëtar.
“Connie Chiume 72, ndërroi jetë në Garden City Hospital sot më 6 gusht 2024. Familja kërkon privatësi gjatë kësaj periudhe të vështirë. Familja do të komunikojë detaje të mëtejshme.”
Chiume ka lindur në Afrikën e Jugut në vitin 1952. Para se të fillonte një karrierë në showbiz që zgjati më shumë se 45 vjet, ajo u trajnua si infermiere dhe punoi si mësuese.
Përpjekja e saj e parë në botën e argëtimit erdhi në vitin 1977 kur ajo iu bashkua një shfaqje muzikore të quajtur “Sola Sola”, e cila bëri turne në Izrael dhe Greqi. Ajo vazhdoi të grumbullonte një mori titujsh si në skenë ashtu edhe në ekran, duke përfshirë dramën e njohur televizive të Afrikës së Jugut “Gomora”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




