Sulmi kamikaz në Mogadisho lë mbi 30 të vrarë, dhjetëra të plagosur

Grupi i armatosur al-Shabab mori përsipër të premten një sulm kamikaz në një nga plazhet më të frekuentuara të Mogadishos në Somali.
Sulmi i parapriu një aksioni të armatosur të grupit në hyrje të hotelit “Beach View”, me disa militantë që hapën zjarr ndaj pushuesve. Mes personave që ndodheshin në plazhin e njohur “Lido” ishin banorët të ulur apo duke ecur rastësisht.
“Më shumë se 32 civilë vdiqën nga ky sulm dhe 63 të tjerë janë plagosur, disa në gjendje kritike,” deklaroi zëdhënësi i policisë.
Policia njoftoi se forcat e sigurisë i eliminuan të gjithë autorët në vendngjarje, ndërsa kapën edhe një të dyshuar që po transportonte eksplozivë në makinën e vet.
Qeveria federale e Somalisë e dënoi sulmin. Kryeministri Hasan Ali Kajre shprehu “ngushëllime të thella për familjet, të afërmit dhe miqtë” e viktimave.
“Fakti që sulmi terrorist përkon me natën kur plazhi është i mbipopulluar tregon dashakeqësinë e terroristëve ndaj popullit somalez,” shkroi ai në rrjetet sociale.
Grupi al-Shabab tenton prej 17 vitesh që të rrëzojë qeverinë somaleze dhe ka kryer bombardime të shumta në kryeqytetin Mogadisho dhe në qytete të tjera. Qeveria e mban pushtetin edhe me mbështetjen e trupave të huaja. /AJ
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




