Zgjedhjet e kontestuar në Venezuelë, SHBA njeh si fitues kandidatin e opozitës për president

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në një deklaratë se kandidati i opozitës është fituesi i zgjedhjeve në Venezuelë. “Bazuar në të dhënat është e qartë për Shtetet e Bashkuara dhe më e rëndësishmja, për popullin venezuelian, se Edmundo Gonzalez Urrutia fitoi shumicën e votave në zgjedhjet presidenciale të Venezuelës më 28 korrik”. – u shpreh ai.
“Njoftimi i rezultateve nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor i kontrolluar nga Maduro ishte thellësisht i gabuar, duke dhënë një rezultat që nuk përfaqëson vullnetin e popullit venezuelian” – tha Blinken.
Njoftimi nga qeveria amerikane erdhi mes të përpjekjeve diplomatike për të bindur presidentin e Venezuelës që të bëjë publike të dhënat e votimit. Autoritetet zgjedhore në Venezuelë shpallën fitues Presidentin Nicolás Maduro, një rezultat që opozita dhe qeveritë e huaja e kanë vënë në pikëpyetje.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor deklaroi si fitues të zgjedhjeve presidentin aktual Maduro, por kundërshtari i tij Gonzales dhe drejtuesja e opozitës Maria Corina Machado kanë deklaruar se të dhënat e numërimit të votave tregojnë se fitues është kandidati opozitar. Machado, e cila u ndalua të kandidojë në zgjedhje, tha se sipas të dhënave të opozitës 2.75 milionë vota u hodhën për Maduron dhe 6.27 milionë për Gonzalez.
Ndërsa autoriteti zgjedhor tha se presidenti aktual mori mbi 5 milionë vota, kurse rivali i tij rreth 4.5 milionë vota. Sipas opozitës publikimi i të dhënave të tabelave të numërimit të votave do të provonte humbjen e Maduros.
Zgjedhjet e kontestuara kanë çuar në protesta vdekjeprurëse që Presidenti Maduro dhe aleatët e tij në ushtri i kanë cilësuar si një përpjekje për grusht shteti. Të enjten, Presidenti njoftoi arrestimin e 1200 protestueve dhe tha se në kërkim ishin 1000 të tjerë.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




