Shkëmbimi i të burgosurve Perëndim- Rusi, Biden dhe Harris përshëndesin amerikanët e liruar nga Moska

Presidenti Joe Biden dhe Zëvendës Presidentja Kamala Harris mirëpritën gazetarin Evan Gershkovich dhe dy amerikanë të tjerë pasi u liruan nga Rusia në një shkëmbim të madh të burgosurish. Gazetari i Wall Street Journal Gershkovich, ish-marinsi amerikan Paul Whelan dhe gazetarja Alsu Kurmasheva u pritën mes brohoritjesh nga familjarët dhe miqtë teksa zbrisnin nga një avion. Ata ishin midis 24 të burgosurve të liruar të enjten në shkëmbimin më të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë.
Vladimir Kara-Murza, një kritik rus i Kremlinit me rezidencë në SHBA, ishte gjithashtu në mesin e të liruarve. 8 rusë, përfshirë dy të mitur, u shkëmbyen për 16 perëndimorë dhe rusë të burgosur në Rusi në pistën e aeroportit në kryeqytetin e Turqisë, Ankara. “Kjo marrëveshje nuk do të ishte bërë e mundur pa aleatët tanë, Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë. Ata morën vendime të guximshme. Për këdo që vë në dyshim nëse aleatët kanë rëndësi, ky është një shembull i fuqishëm se pse është jetike të kesh miq në këtë botë, miq të cilëve mund t’u besosh, të punosh dhe të mbështetesh. Aleancat tona i bëjnë njerëzit tanë më të sigurt.”- tha Biden.
Harris, që pritet të jetë kandidatja presidenciale e demokratëve në zgjedhjet e 5 nëntorit u shpreh “Kjo është një ditë e jashtëzakonshme dhe unë jam shumë mirënjohës për Presidentin tonë për atë që ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij, por në veçanti në lidhje me këto familje. Kjo është një dëshmi e jashtëzakonshme për rëndësinë e të pasurit një president që kupton fuqinë e diplomacisë dhe forcimin e aleancave.” – tha ajo përkrah Biden.
Ndërsa kancelari gjerman Olaf Scholz tha se shkëmbimi i të burgosurve ishte i vështirë, por kishte shpëtuar jetë. “Nuk ishte e lehtë për askënd që të merrte vendimin për të dëbuar një vrasës të dënuar me burgim të përjetshëm” Berlini ra dakord të merrte 12 të burgosur. Nga ana tjetër në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin priti të burgosurit e liruar nga Perëndimi, mes tyre edhe Vadim Krasikovin, një agjent i inteligjencës ruse i dënuar me burg përjetë në Gjermani për vrasjen e një ish-rebeli çeçen. Ai takoi të burgosurit e kthyer në Moskë, duke thënë se do t’u jepeshin çmime shtetërore. “Ju përgëzoj për kthimin në atdheun tuaj”, – u tha Putin.
Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara kishin punuar për një marrëveshje që do të lironte liderin e opozitës ruse, Alexei Navalny, i cili vdiq në paraburgimin rus në fillim të këtij viti. Shkëmbimi historik ndodhi pas muajsh negociatash tepër sekrete dhe përfshiu lirimin e rusëve të mbajtur për vrasje, spiunazh dhe krime të tjera. Kritikët thanë se shkëmbimi i të burgosurve me lirimin i rusëve të dënuar për krime të rënda mund të nxiste regjimin e Putinin që të mbante më shumë pengje nga vendet perëndimore.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




