Trump vë në dyshim origjinën e Harris, Ish-presidenti: Nuk e di nëse ajo është indiane apo me ngjyrë

Ish-presidenti amerikan Donald Trump akuzoi kandidaten e mundshme të demokratëve për presidente Kamala Harris se ka bërë një kthesë të papritur lidhur me origjinën e saj si person me ngjyrë.
“Ajo ishte gjithmonë me origjinë indiane dhe vetëm ka promovuar trashëgiminë indiane. Nuk e dija që ajo ishte me ngjyrë deri disa vite më parë, kur rastësisht u bë e tillë dhe tani ajo dëshiron të njihet si person me ngjyrë. Tashmë nuk e di, ajo është indiane apo me ngjyrë?”, tha Trump.
78-vjeçari i bëri komentet në një takim me gazetarët me ngjyrë, kur një prej tyre e pyeti pse votuesit me ngjyrë duhet të mbështesin një kandidat që vazhdimisht ka sulmuar rivalët politikë në baza raciste. E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e Harris ndaj kandidatit republikan. Gjatë një takimi në Hjuston, zv.presidentja tha se deklaratat e Trumpit ishin “një tjetër kujtesë se si do të dukeshin katër vitet e ardhshme nëse ai zgjidhet president.
“Ishte e njëjta shfaqje e vjetër e përçarjes dhe mosrespektimit, populli amerikan meriton më shumë. Ne meritojmë një lider që kupton se dallimet tona nuk na ndajnë, ato janë burim thelbësor i forcës sonë.”, u shpreh Harris.
Trumpi edhe në të kaluarën ka bërë sulme të ngjashme ndaj rivalëve politikë me ngjyrë, duke përfshirë edhe teorinë e rreme se ish-presidenti Barack Obama nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara. Kamala Harris është zëvendëspresidentja e parë grua me ngjyrë dhe aziatiko-amerikane, me prindër të lindur në Indi dhe Xhamajkë, të cilët emigruan në Shtetet e Bashkuara.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




