Maduro dhe opozita pretendojnë fitoren në Venezuelë, Autoriteti Zgjedhor: Presidenti fitoi 51% të votave, Gonzales 44%

Autoriteti zgjedhor i Venezuelës tha të hënën se presidenti Nicolas Maduro fitoi një mandat të tretë me 51% të votave, ndërsa kandidati i opozitës Edmundo Gonzalez fitoi 44% të votave, megjithëse opozita tha më herët se kishte arsye për të festuar dhe u kërkoi mbështetësve të vazhdonin të monitoronin numërimin e votave.
Presidenti Maduro, në një dalje para mbështetësve në pallatin presidencial tha se rizgjedhja e tij është një triumf i paqes dhe stabilitetit, ndërsa përsëriti deklaratat e bëra edhe gjatë fushatës se sistemi zgjedhor i Venezuelës është transparent.
“Do të nënshkruajë një dekret për të zhvilluar një dialog të hapur kombëtar”, shtoi Maduro. Udhëheqësja e opozitës Maria Corina Machado tha se kandidati i tyre Gonzalez kishte fituar 70% të votave dhe se sondazhet e shumta të pavarura dhe numërimet e shpejta të votave treguan në mënyrë vendimtare fitoren e tij.
“Venezuela ka një president të ri të zgjedhur dhe ai është Edmundo Gonzalez. Ne fituam dhe e gjithë bota e di këtë,” – tha ajo në një deklaratë të përbashkët me Gonzalez. Kandidati i opozitës tha se nuk do të bëjë thirrje që mbështetësit e tij të dilnin në rrugë ose të kryenin ndonjë akt dhune.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kishin “shqetësime serioze se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian”. Blinken bëri thirrje që autoritetet zgjedhore të publikojnë të dhënat e detajuara të votave. Këshilli kombëtar zgjedhor tha në një deklaratë se pjesëmarrja ishte 59%. Më herët kryetarja e opozitës Machado përsëriti një thirrje për ushtrinë e vendit që të mbështesë rezultatet e votimit, ndërsa tha se ka kopje të rreth 40% të të dhënave të votimit. “Një mesazh për ushtrinë. Populli i Venezuelës ka folur, ata nuk duan e Maduron” – u shpreh ajo.
“Është koha të vendosni veten në anën e duhur të historisë. Ju keni një shans dhe është tani.” Ushtria e Venezuelës ka mbështetur gjithmonë Maduron, dhe nuk ka pasur asnjë shenjë që udhëheqësit e forcave të armatosura po shkëputen nga qeveria.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




