Protesta vdekjeprurëse në Bangladesh, vendi në shtetrrethim, studentët, kërkojnë largimin e qeverisë

Forcat e ushtrisë në Bangladesh kanë shtuar patrullimet në rrugët e kryeqytetit Dhaka, por edhe qyteteve të tjera pas vendosjes së një shtetrrethimi që synonte të shuante protestat vdekjeprurëse të udhëhequra nga studentët.
Agjencia Franceze e Lajmeve AFP raportoi se sipas të dhënave nga policia dhe spitalet deri tani janë vrarë mbi 120 persona.
Këto protesta përbëjnë një sfidë madhore për qeverinë autokratike të kryeministres Sheik Hasina pas 15 vitesh në detyrë.
Shtetrrethimi qeveritar hyri në fuqi në mesnatën e së premtes dhe zyra e kryeministres i kërkoi ushtrisë të vendoste trupa pasi policia dështoi të mposhte protestat studentore. “Ushtria është vendosur në mbarë vendin për të kontrolluar situatën e rendit dhe ligjit”, tha zëdhënësi i forcave të armatosura për AFP duke shtuar se të paktën 300 policë u plagosën, ndërsa dy oficerë u dhunuan për vdekje.
Protestuesit bëjnë thirrje për t’i dhënë fund një sistemi kuotash që rezervon më shumë se gjysmën e posteve të shërbimit civil për grupe specifike.
Kritikët thonë se nga kjo skemë përfitojnë familjet besnike të kryeministres Hasina, e cila drejton vendin që nga viti 2009 dhe fitoi mandatin e katërt radhazi në zgjedhjet e këtij fillimvitit pas një procesi votimi pa një opozitë të vërtetë.
Qeveria e Hasinës akuzohet nga grupet e të drejtave të njeriut për keqpërdorim të institucioneve shtetërore për mbajtur pushtetin dhe për të shuar zërat kundërshtarë, duke përfshirë edhe vrasjen pa gjyq të aktivistëve të opozitës.
Që nga marta, kur u regjistruan viktimat e para, protestuesit kërkojnë largimin e saj nga detyra dhe dorëheqjen e qeverisë së Bangladeshit.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




