Çfarë dihet për bombën që Izraeli përdori në “zonën e sigurt” të Gazës

Botë | 2 vite më parë

Bombardimi i kampit të Al-Mavasit në Gazë raportohet se la të paktën 90 të vrarë dhe rreth 300 të plagosur fundjavën e kaluar.

Sulmi izraelit, sipas ekspertëve të pyetur nga Agjencia Franceze e Lajmeve, u krye me një bombë të ndihmuar nga teknologjia amerikane e llojit “Municion Sulmues i Përbashkët” (JDAM), e cila rrit precizionin e goditjes në kushte të caktuara meteorologjike.

Sistemet amerikane hynë në veprim në vitin 1997 me një përqindje efikasiteti që shkon në 95. Ato u përdorën fillimisht gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe në Afganistan në 2001.

Trevol Boll (o. Ball), një teknik shpërthimesh në ushtrinë amerikane i tha AFP-së se bombardimi i Al-Mavazit “u krye 100 për qind me kitin JDAM”. Sipas tij, pesha e predhës së mbushur goditëse mund të ketë qenë rreth 450 ose 900 kilogramë.

Goditje të tilla të Izraelit brenda Rripit të Gazës janë kritikuar nga organizatat humanitare dhe kanë shtuar thirrjet ndaj presidentit Xho Bajden që të mos i dërgojë më municione Izraelit. Ushtria izraelite edhe në sulmin e fundit deklaroi se objektivi i saj ishte një zyrtar i lartë i Hamasit, grupit palestinez që më 7 tetor të vitit të kaluar provokoi luftën disamujore tanimë.

“Unë mendoj se civilët e vrarë nga goditja ndodheshin brenda zonës, jo në afërsi. Pra ushtria izraelite nuk arriti ta vlerësojë si duhet praninë e civilëve ose vlerësoi riskun ndaj civilëve në përpjesëtim me avantazhin ushtarak, që do të ishte vrasja e liderëve të Hamasit,” thotë Ves Brajant (o. Wes Bryant), një kryerreshter në pension i Forcave të Armatosura amerikane.

Bombardimi i Al-Mavasit mësohet se la pas një zonë të rrënuar pa ujë, pa energji elektrike.

Nga ofensiva e 7 Tetorit vlerësohet se numri i palestinezëve të vrarë në Gazë ka kaluar 38 mijë. /AFP

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme