Barcelona kundër turizmit masiv, mijëra banorë në protestë për të kërkuar një model të ri turizmi

Botë | 2 vite më parë

Me pankarta dhe flamuj palestinëze në mbështetje të qytetarëve në Gaza, mijëra banorë të Barcelonës, protestuan në rrugët kryesore të qytetit kundër turizmit masiv. Banorët mbanin mbishkrime “Mjaft! Le të vendosim kufij për turizmin”, duke kërkuar kështu një model të ri ekonomik që do të reduktonte miliona turistë që vizitojnë qytetin çdo vit. 

“Nuk kam asgjë kundër turizmit, por këtu në Barcelonë po vuajmë nga një tepricë e turizmit që e ka bërë qytetin tonë të pajetueshëm”, tha Jordi Guiu, një i ri sociolog. Kostot gjithnjë në rritje të strehimit të Barcelonës, të cilat janë rritur me 68% në dekadën e fundit, ishin ndër çështjet kryesore të ngritura nga demonstruesit, së bashku me ndikimin e turizmit në tregtinë lokale dhe kushtet e punës në qytetin me 1.6 milionë banorë.

“Dyqanet lokale po mbyllen për t’u hapur rrugë dyqaneve që nuk u shërbejnë nevojave të lagjeve. Njerëzit nuk mund të përballojnë qiratë e tyre,” u shpreh një tjetër protestues. Kryetari i bashkisë së Barcelonës, Jaume Collboni njoftoi në qershor një plan për të hequr të gjitha qiratë afatshkurtra deri në vitin 2028. 

Vendi i dytë më i vizituar pas Francës, Spanja priti 85 milionë vizitorë të huaj në vitin 2023, një rritje prej 18.7 për qind nga një vit më parë, sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, ndërsa rajoni më i vizituar ishte Katalonja, kryeqyteti i së cilës është Barcelona, me 18 milionë turistë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme