Rusia breshëri raketash ndaj Ukrainës, vriten 20 persona, plagosen rreth 50 të tjerë

Një breshëri sulmesh raketore ruse ka goditur disa objektiva në disa qytete në Ukrainë, ndër to edhe një spital fëmijësh në Kiev.
Nga sulmet e raketave ruse, të paktën 20 persona kanë humbur jetën dhe rreth 50 të tjerë janë plagosur.
Lajmi u bë me dije nga Ministria e brendshme, ndërsa zyrtarë të tjerë ukrainas u shprehën se sulmi goditi disa qytete të Ukrainës, duke përfshirë Kievin, Dnipron, Kryvyi Rih, Slovyansk dhe Kramatorsk.
Ndër ndërtesat e goditura ishte spitali Okhmatdyt i Kievit, qendra më e madhe mjekësore e fëmijëve në Ukrainë, e cila ka qenë vendimtare në mbështetjen e disa fëmijëve të cilët ishin të sëmurë rëndë.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenksy) tha në një postim në X se numri i saktë i viktimave në spital nuk dihet ende dhe se “ka njerëz nën rrënoja”.
“Janë dëmtuar ndërtesat e banimit, infrastruktura dhe një spital për fëmijë. Të gjitha shërbimet janë të angazhuara për të shpëtuar sa më shumë njerëz”, shkroi Zelensky në një postim në X.
Ai tha gjithashtu se rreth 40 raketa të llojeve të ndryshme ishin lëshuar kundër Ukrainës.
“E gjithë bota duhet të përdorë gjithë vendosmërinë e saj për t’i dhënë fund përfundimisht sulmeve ruse. Vrasja është ajo që sjell Putini. Vetëm së bashku mund të sjellim paqe dhe siguri të vërtetë”, shtoi ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




