Izraeli dërgon delegacion për rinisjen e bisedimeve për armëpushim me Hamasin

Botë | 2 vite më parë

Izraeli ka dërguar një delegacion negociatorësh në Doha me qëllim rifillimin e bisedimeve për lirimin e pengjeve dhe armëpushimin, një ditë pasi Hamasi paraqiti amendamentet e tij të fundit në marrëveshjen e propozuar aktuale.

Ekipi negociator i Izraelit për pengjet drejtohet nga shefi i Mossad-it, David Barnea.

Në një takim me negociatorët e tij përpara vendimit, Netanyahu theksoi përsëri se “lufta do të përfundojë vetëm pasi të arrihen të gjitha qëllimet e saj, dhe jo një moment më parë”.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë tha se Xho Bajden (Joe Biden) përshëndeti vendimin e kryeministrit për të autorizuar negociatorët e tij për të punuar me ndërmjetësuesit e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit në një përpjekje për të mbyllur marrëveshjen”.

Barnea do të takohet sot (5 korrik) me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, me të cilin do të kërkojë propozimin e ri nga Hamasi.

Negociatat e nisur prej gjashtë muajsh me anë të ndërmjetësve, përfshirë SHBA-në, Katarin dhe Egjiptin, kanë dështuar herë pas here për të arritur një marrëveshje që do të çonte në lirimin e 116 pengjeve të rrëmbyer më 7 tetor të vitit të kaluar, si dhe në shkëmbimin dhe lirimin e qindra të burgosurve palestinezë, për të shkuar edhe drejt një armëpushimi të plotë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme