9 të vdekur nga shembja e skenës gjatë tubimit elektoral në Meksikë

Botë | 2 vite më parë

Nëntë persona humbën jetën të mërkurën në veri të Meksikës si pasojë e shembjes së skenës ku po mbahej një tubim elektoral, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar.

Rreth 50 banorë dhe politikanë të Nuevo-Leonit, po merrnin pjesë në aktivitetin e organizuar nga partia Lëvizja Qytetare, kur struktura mbi të cilën qëndronin u përfshi nga një vorbull e fortë ere, që e shkatërroi atë.

Viktimat mbetën tetë të rritur dhe një fëmijë tha guvernatori i shtetit, Samuel Garsia (o. Garcia).

Kandidati për president që po mbante tubimin, Horhe Alvarez Majnez (. Jorge Maynez), u kthye në vendngjarje për t’u interesuar mbi të lënduarit, ndërsa koordinatori i fushatës së tij elektoral u shtrua në spital me këmbë të thyer.

“Pashë shumë pemë të rëna dhe pas një kohe shumë të shkurtër nuk kishte as stuhi, as shi. Ishte vërtet e pazakontë ajo që ndodhi. Paralajmërova kolegët, të cilët në fillim as nuk po e kuptonin ç’po ngjante,” deklaroi z. Alvarez Majnez.

Zgjedhjet presidenciale në Meksikë mbahen më 2 qershor dhe kandidati Alvarez Majnez renditet i treti në sondazhe, pas kandidates së partisë në pushtet Klaudia Sheinbaum dhe Shoshi Galvezit (o. Xochitl) në vendin e dytë. /Reuters

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme