Zgjedhjet në Rusi, Putin thirrje për pjesëmarrje masive në procesin e votimit

Presidenti Vladimir Putin të enjten u kërkoi rusëve, përfshirë edhe atyre në territoret e aneksuara nga Ukraina që të votojnë në zgjedhjet e kësaj fundjave. Lideri rus, që kërkon “të çimentojë” qëndrimin e tij në pushtet, tha se ky proces elektoral vjen në një kohë të vështirë për vendin.
Putin pritet të sigurojë një mandat tjetër 6-vjeçar në pushtet në procesin që nis të premten dhe mbyllet të dielën, ndërsa Kremlini thotë se vota do të tregojë se shoqëria ruse qëndron plotësisht në mbështetje të të ashtuquajturit “operacion special” në Ukrainë.
“Jam i bindur që e kuptoni se çfarë periudhe të vështirë po kalon vendi ynë, me çfarë sfidash komplekse po përballemi në pothuajse të gjitha fushat”, tha Putin në një fjalim drejtuar rusëve në prag të votimit.
“Në mënyrë që të vazhdojmë t’u përgjigjemi me dinjitet dhe t’i kapërcejmë me sukses vështirësitë, duhet të vazhdojmë të jemi të bashkuar dhe me vetëbesim“- shtoi ai, duke e quajtur patriotizëm pjesëmarrjen në zgjedhje. Lideri rus theksoi se votimi do të mbahet edhe në katër territoret e pushtuara së fundmi në Ukrainë, si dhe në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Moska në vitin 2014.
“Do të votojnë edhe luftëtarët tanë në front. Ata, duke treguar guxim dhe heroizëm mbrojnë Atdheun, ndërsa duke marrë pjesë në zgjedhje, japin shembull për të gjithë ne“, – u shpreh Putin. 71-vjeçari është në pushtet në Rusi si president ose kryeministër që nga viti 2000. Në zgjedhjet presidenciale ai përballet me tre kundërshtarë, por asnjëri prej tyre nuk e ka kritikuar atë.
Gazetare: V. Zharri
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




