Ndotja nga plastika, G7 zotohet për dhënie fund të mbeturinave deri në vitin 2040

Ministrat për Ambient dhe Klimë të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) janë zotuar për t’i dhënë fund ndotjes së plastikës në shtetet e tyre, deri më 2040. Ata e kanë bërë të ditur këtë vendim, përmes një deklarate që kanë lëshuar pas takimit që kanë zhvilluar këtë të diel në Japoni.
“Ne jemi zotuar për t’i dhënë fund ndotjes plastike, me ambicien që të ulim në zero këtë lloj të ndotjes deri më 2040”, thuhet në deklaratë.
Gjermania, Franca, Kanadaja, Britania dhe Bashkimi Evropian, ishin pjesë e një koalicioni shumëkombësh, që e bënë këtë zotim që vitin e kaluar.
Mirëpo, kjo është hera e parë që vendet tjera që janë pjesë e grupit – si Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Italia u bënë pjesë e zotimit për plastikë zero deri më 2040.
Në deklaratë është thënë se deri te zotimi do të arrihet përmes “promovimit të prodhimit të qëndrueshëm të plastikës, ripërdorimit të saj, dhe menaxhimit në natyrë”.
Ndotja me produkte plastike është dyfishuar në gjithë botën në 20 vjetët e fundit dhe vetëm 9 për qind e sasisë totale arrin të riciklohet me sukses.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se volumi i plastikës që depërton në oqeane gati që do të trefishohet deri më 2040.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




