Mbi 1200 raketa dhe drone, Rusia godet rrjetin elektrik të Ukrainës

Forcat ruse kanë goditur rrjetin elektrik të Ukrainës. “Nga 1200 raketa, 250 goditën vendet e Ukrenergo, duke shkaktuar dëme në 43% të rrjetit kryesor të energjisë. Të gjitha termocentralet dhe hidrocentralet pësuan shkallë të ndryshme dëmtimi”, thuhet në një deklarate nga kompania ukrainase e energjisë Ukrenergo, raporton CNN.
Që nga tetori, forcat ruse kanë lëshuar qindra raketa dhe drone në infrastrukturën energjetike larg vijës së frontit, duke ndërprerë përkohësisht energjinë elektrike, ngrohjen dhe ujin për miliona njerëz në Ukrainë.
“Gjatë gjashtë muajve më të ftohtë të vitit, Rusia është përpjekur të na marrë energjinë dhe nxehtësinë duke shkatërruar infrastrukturën tonë energjetike,” tha kompania Ukrenergo.
Kostoja e riparimeve emergjente në rrjetin e energjisë do të arrijë më shumë se 1 miliard dollarë, thuhet në deklaratë, duke cituar një vlerësim nga Banka Botërore dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.
Kompania Ukrenergo tha se ka marrë pothuajse 500 njësi të pajisjeve zëvendësuese, dhe më shumë do të prodhohen dhe dërgohen në Ukrainë.
Ndërkohë, Ukraina do të jetë në gjendje të eksportojë energji elektrike për herë të parë në gjashtë muaj, pasi infrastruktura e saj e energjisë po rimëkëmbet. Rusia nisi sulmet e saj kundër infrastrukturës energjetike ukrainas tetorin e vitit të kaluar. Sulmet çuan në ndërprerje të mëdha të furnizimeve me elektricitet, duke lënë qytete e fshatra pa energji elektrike gjatë dimrit.
Për shkak të sulmeve, Ukraina u detyrua të ndalte eksportet, por tani do të jetë në gjendje që sërish të shesë energji.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




