Trazirat në Brazil dhe sulmi ndaj selive qeveritare, urdhër për arrestimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë publike

Autoritetet e drejtësisë në Brazil kanë urdhëruar arrestimin e zyrtarëve të lartë publikë pas rebelimit ndaj ndërtesave qeveritare në Brasília. Sipas mediave braziliane, një zyrtar, ish-komandant i policisë ushtarake, është arrestuar gjithashtu.
Sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Brazilit, mes zyrtarëve të vendosur në pranga është edhe ish-shefi i sigurisë publike të Brasília-s, Anderson Torres dhe të tjerë “përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet” që çuan në trazirat e fundit. Ndërkaq, Torres mohon çdo rol në trazirat.
Koloneli Fábio Augusto, komandanti i policisë, u shkarkua nga detyra pasi mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro sulmuan Kongresin, pallatin presidencial dhe Gjykatën e Lartë, transmeton BBC.
Trazirat erdhën një javë pasi presidenti Luiz Inácio Lula da Silva, i njohur gjerësisht si Lula, u betua në këtë post. Skenat dramatike panë mijëra protestues, disa të veshur me fanella të verdha të futbollit të Brazilit dhe duke valëvitur flamuj, pushtuan policinë dhe plaçkitën zemrën e shtetit brazilian. Nga rreth 1,500 personat e arrestuar, zyrtarët thonë se gati 600 persona janë dërguar në objekte të tjera, ku pritet të njihen me akuzat zyrtare./rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




