Raporti Evropianëve: BE më të drejtë, më të gjelbër dhe më të shkathët

Qytetarët e Bashkimit Evropian do të dëshironin që blloku 27-vendesh të bëhet më i drejtë, të tregojë solidaritet më të madh, të udhëheqë luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe të marrë vendime më të shpejta, edhe nëse kjo do të thotë të heqë dorë nga nevoja për unanimitet për disa çështje. tregoi një raport i BE-së.
Raporti është rezultat i një viti konsultimesh me qytetarët nga institucionet e BE-së, një proces i quajtur Konferenca për të Ardhmen e Evropës, dhe ai përshkruan idetë për ndryshim, disa prej të cilave mund të kërkojnë ndryshimin e traktateve të BE-së – një temë shumë e ndjeshme raporton Reuters.
“Ju bëjmë thirrje që këto propozime t’i shikoni në tërësi, t’i zbatoni dhe jo vetëm ato që ju përshtaten më shumë dhe zbatohen lehtësisht. Bëjeni në mënyrë transparente”, thanë autorët e raportit në një apel të drejtpërdrejtë drejtuar institucioneve.
Propozimet e renditura në raport përfshijnë nëntë tema: ndryshimet klimatike dhe mjedisi, ekonomia, migrimi, transformimi dixhital, demokracia, arsimi, vlerat dhe sundimi i ligjit, shëndetësia dhe pozicioni i BE-së në botë.
Ato synojnë t’i japin fund diskriminimit për të gjithë evropianët në bllokun 27-vendesh dhe e nxisin atë që të jetë “e guximshme dhe të veprojë shpejt” për t’u bërë një lider mjedisor dhe klimatik, duke inkurajuar transportin e qëndrueshëm dhe duke u bërë “një ekonomi me të vërtetë rrethore”.
Kërkesa për unanimitet është kritikuar shpesh si duke ngadalësuar ose edhe duke bllokuar zhvillimin e BE-së, pasi të gjitha vendimet në këto fusha duhet të reduktohen në emëruesin më të ulët të përbashkët.
Ndryshime të tilla do të kërkonin ndryshime në traktatet e BE-së, që do të ishte një proces i gjatë dhe i vështirë dhe në vetvete do të kërkonte unanimitet.
Shumë vende të BE-së besojnë se me bllokun që po përballet me beteja ekonomike pas pandemisë, efektet e pushtimit rus të Ukrainës dhe ndryshimet klimatike, një proces i gjatë ndryshimi i traktateve tani vetëm do të largonte burimet nga trajtimi i çështjeve më urgjente dhe do të krijonte ndarje të reja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




